Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj mënyrës se si Komisioni për Legjislacion ka filluar shqyrtimin dhe votimin në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi, duke vlerësuar se janë shkelur dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit.
Të lidhura
None found
Sipas KDI-së, mbledhja nuk është paralajmëruar brenda afatit të përcaktuar, ndërsa deputetët kanë marrë dokumentet e pakos ligjore vetëm një natë përpara diskutimit të tyre.
Instituti i është referuar nenit 34, paragrafi 4, të Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit duhet të thirret të paktën tri ditë pune para zhvillimit të saj.
“Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim”, ka deklaruar KDI.
Organizata thekson se nuk është dhënë asnjë shpjegim paraprak për ndjekjen e një procedure të tillë të përshpejtuar.
Një tjetër dispozitë e përmendur nga KDI është neni 74, paragrafi 1, i Rregullores, i cili përcakton se leximi i parë i një projektligji në seancë plenare mund të zhvillohet vetëm pasi të kenë kaluar dy javë nga momenti kur ai u është shpërndarë deputetëve.
KDI vlerëson se kjo periudhë i jepte Komisionit kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar pakon në mënyrë të rregullt dhe për t’u mundësuar deputetëve njohje të plotë me përmbajtjen e materialeve.
Instituti ka kritikuar gjithashtu mungesën e ministres përgjegjëse në procesin e shqyrtimit të projektligjeve.
“Projektligjet u votuan gjithashtu pa u prezantuar nga ministrja përgjegjëse. Edhe pse kjo lidhet me praktikën parlamentare dhe jo me një detyrim procedural, për një pako kaq të rëndësishme të reformës në drejtësi do të duhej që ministrja të ishte e pranishme, t’i prezantonte propozimet dhe t’u përgjigjej pyetjeve eventuale të deputetëve”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas Institutit, projektligjet përbëjnë një pako me rëndësi të veçantë për rritjen e integritetit, përmirësimin e performancës dhe forcimin e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.
Për këtë arsye, KDI kërkon që procedura e shqyrtimit të vijojë pa nxitim dhe duke respektuar të gjitha rregullat parlamentare.
Instituti i ka bërë thirrje Komisionit për Legjislacion që, në etapat e ardhshme të trajtimit të pakos, të zbatojë procedurat përkatëse dhe të garantojë përfshirjen e akterëve relevantë, duke pasur parasysh edhe përgjegjësinë e tij për respektimin e Rregullores së Kuvendit.
