Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, ka paralajmëruar se do të ndërmerren veprime të tjera në rast se Qeveria e Kosovës nuk miraton plotësim-ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Të lidhura
None found
Gucati bëri të ditur se gjatë dy javëve të fundit janë zhvilluar takime të vazhdueshme për mobilizimin e qytetarëve dhe garantimin e një pjesëmarrjeje sa më të madhe në protestën e paralajmëruar.
Ai deklaroi gjithashtu se protesta e 1 tetorit në Prishtinë do të jetë gjithëpopullore, duke u bërë thirrje veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës që të marrin pjesë.
“Po, është e vërtetë. Nëse nuk miratohet ligji për plotësim-ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ne do të formojmë hapa tjerë, ku në ditët e vikendit do të ulemi në bisedë kryesia dhe Këshilli, bashkërisht me dy shoqatat tjera, shoqata e mbajtësve dhe dëshmorëve”, ka thënë Gucati.
Mes masave që po shqyrtohen është edhe qëndrimi me tenda përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
“Do t’ia vështirësojmë punën Qeverisë. Ne do të tentojmë, nëse nuk reflekton. Një nga shembujt, do të qëndrojmë me tenda para Qeverisë. Tani do ta shohim ditëve në vijim, kjo është diskutuar”, u shpreh Gucati.
