Partitë parlamentare në Kosovë ende nuk kanë gjetur një kandidat për presidentin që do të mund të siguronte votat e nevojshme në Kuvend, ndërsa koha në dispozicion po përfundon.
Të lidhura
None found
Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, periudha 60-ditore për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Edhe pse ditët e fundit janë shënuar takime dhe zhvillime të reja politike, deri tani nuk është bërë i ditur asnjë emër konkret. Në takimin mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti është diskutuar edhe çështja e presidentit, por pa u arritur një marrëveshje për kandidatin.
Mungesa e një dakordësie brenda afatit kushtetues ka ringjallur frikën për një krizë tjetër institucionale dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Publicisti Lis Bukuroca shprehet se aktualisht nuk ka tregues bindës që situata do të zgjidhet në një kohë të shkurtër. Sipas tij, partitë vazhdojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara dhe nuk po tregojnë vullnet për një kompromis institucional.

Në një deklaratë për “Bota sot”, Bukuroca tha se qëndrimi i partive opozitare mund të lidhet me interesa më të thella politike, përfshirë edhe frikën nga pasojat që mund të sjellë çështja e pasurisë së pajustifikueshme.
“Nuk shoh ndonjë shenjë bindëse se kriza për zgjedhjen e Presidentit të Republikës mund të marrë zgjidhje së shpejti. Përkundrazi, partitë politike vazhdojnë të jenë të pozicionuara fort dhe nuk po dëshmojnë gatishmëri për një marrëveshje të mirëfilltë institucionale”, deklaroi ai.
Bukuroca vlerësoi se ngurtësia e subjekteve opozitare nuk shpjegohet vetëm me rivalitetet e zakonshme politike. Sipas tij, pas saj mund të fshihen interesa të mëdha dhe shqetësimi për ndryshime që do të preknin përfitime të krijuara ndër vite, ndërsa mundësia e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme mund të jetë një prej faktorëve kryesorë.
Ai e konsideroi gjithashtu problematike situatën brenda LDK-së, duke thënë se përçarjet në këtë parti e bëjnë më të vështirë sigurimin e një shumice të qëndrueshme për zgjedhjen e presidentit.
“LDK-ja nuk duket sot si një subjekt plotësisht koherent. Përçarjet e brendshme janë bërë të dukshme pikërisht në lidhje me marrëveshjen për Presidentin, çka e vështirëson edhe më shumë krijimin e një shumice të qëndrueshme”, u shpreh publicisti.
Për PDK-në, Bukuroca identifikon një tjetër vështirësi politike, të lidhur me identitetin e partisë dhe me zhvillimet që kanë të bëjnë me ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë.
Sipas tij, Bedri Hamza drejton një forcë politike që vazhdon ta lidhë identitetin e saj me trashëgiminë e UÇK-së, ndërkohë që ai vetë nuk ka biografinë e një ish-pjesëtari të UÇK-së. Kjo, sipas Bukurocës, e vendos Hamzën përballë një presioni të madh të brendshëm dhe ia ngushton mundësinë për të bërë kompromis. Ai shtoi se pas aktgjykimit të fundit në Hagë, kjo lidhje është bërë edhe më e pranishme në diskursin politik të PDK-së.
Publicisti tha se çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë po përzihet gjithnjë e më shumë me përplasjet politike të brendshme në Kosovë. Megjithatë, ai paralajmëroi se proceset gjyqësore dhe përgjegjësia e institucioneve të Kosovës duhet të trajtohen si çështje të veçanta.
“Institucionet e Kosovës mund të mbrojnë interesat e vendit dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, por nuk mund të veprojnë sikur vendimet e një gjykate mund të rrëzohen përmes vullnetit politik. Ndërthurja e këtyre dy çështjeve është e rrezikshme”, deklaroi Bukuroca.
Ai rikujtoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar mbi bazën e legjislacionit të Kosovës dhe kanë mbështetje të fortë ndërkombëtare. Për këtë arsye, çdo përpjekje politike për t’i kundërshtuar ato, sipas tij, duhet të vlerësojë edhe pasojat që mund të ketë për marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Bukuroca tha se, në rrethanat aktuale, nuk vëren ende vullnet të mjaftueshëm te forcat kryesore politike për të arritur një marrëveshje për presidentin.
“Çështja nuk është vetëm emri i presidentit të ardhshëm. Problemi kryesor është se partitë po e përdorin funksionimin e shtetit si pjesë të strategjisë së tyre politike. Kur institucionet kthehen në mjete presioni ndërpartiak, pasojat nuk i përballon vetëm një subjekt, por e gjithë Kosova”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
