Mungesa e stafit gjyqësor, administrativ dhe mbështetës mbetet një nga problemet kryesore të Gjykatës Penale të Shkupit. Megjithatë, institucioni ka shënuar përmirësim në efikasitet, me ulje të konsiderueshme të numrit të lëndëve të vjetra dhe një trend më të ulët të parashkrimit të çështjeve penale. Të dhënat u prezantuan në konferencën e sotme për media të mbajtur në Gjykatën Penale.
Të lidhura
None found
Në këtë gjykatë aktualisht ushtrojnë detyrën 53 gjyqtarë. Tetë prej tyre janë mbi 59 vjeç, ndërsa pesë kanë kaluar moshën 64 vjeç. Sipas institucionit, kjo nënkupton se brenda tre viteve të ardhshme një pjesë e madhe e gjyqtarëve pritet të pensionohet. Ndërkohë, nuk pritet emërimi i gjyqtarëve të rinj, pasi Akademia nuk ka gjenerata.
Situata paraqitet edhe më e vështirë në administratë dhe në shërbimet mbështetëse. Nga 628 vendet e parapara në sistematizim, vetëm 208 janë të plotësuara. Për funksionimin e rregullt të gjykatës aktualisht janë angazhuar 18 oficerë të policisë gjyqësore, dy punonjës të personelit teknik dhe shtatë higjienistë.
Vetëm gjatë vitit 2026, 13 të punësuar kanë dalë në pension. Ndërkaq, nga viti 2020 deri në vitin 2025, numri i zyrtarëve në gjykatë është zvogëluar për deri në 131 persona.
Proceset gjyqësore vështirësohen gjithashtu nga numri i pamjaftueshëm i anëtarëve të jurisë. Për zhvillimin normal të seancave nevojiten 70 anëtarë, ndërsa aktualisht janë aktivë 52 prej tyre, përfshirë 17 persona të zgjedhur rishtazi.
Pavarësisht deficitit të stafit, Gjykata Penale raporton rezultate pozitive në menaxhimin e punës dhe në reduktimin e lëndëve të mbetura.
Në gusht të vitit 2025 ishin evidentuar 896 lëndë të vjetra, ndërsa në gusht 2026 ky numër ra në 368. Zvogëlimi më i madh është regjistruar te lëndët e kundërvajtjeve dhe sanksionet./Telegrafi/
