Një operacion i gjerë antidrogë, i udhëhequr nga prokurori Ersan Qavolli, çoi në sekuestrimin e më shumë se një ton droge në Pejë, gjatë shtatorit të vitit 2024.
Të lidhura
None found
Dy vjet pas aksionit, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të cilët dyshohen për kultivim dhe trafikim të substancave narkotike, si dhe për vepra të tjera penale.
Megjithëse ishte kërcënuar me jetë, Qavolli vazhdoi hetimet deri në përfundimin e zbardhjes së rastit, i cili u shndërrua në një nga operacionet më të mëdha kundër drogës në Kosovë.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 27 shtator 2024, në dy parcela në fshatrat Kliqinë dhe Sferkë u zbuluan gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa. Nga to ishte prodhuar narkotik i llojit “kanabis sativa”, me peshë totale prej mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë, të cilin Policia e Kosovës e sekuestroi pas zbatimit të urdhrit për kontroll.
Droga, e cila dyshohet se ishte destinuar për tregun ndërkombëtar, vlerësohej në afro 5 milionë euro. Operacioni për sekuestrimin dhe asgjësimin e saj zgjati rreth 14 orë.
Në aksion morën pjesë institucionet lokale të Pejës, përfshirë Prokurorinë dhe Policinë, si dhe struktura qendrore, mes tyre Njësia Speciale Operacionale dhe ekipe të tjera relevante.
Sipas raportimit të IndeksOnline, aktakuza e ngritur sot përfshin Eldi Mykajn, Erion Etemajn, Engjelush Ibrahimin, Klodian Qoklin, Shkëlqim Xhijan, Mirjon Qoklin, Istref Bajramin, Liridon Hazirajn dhe Enver Hasanin.
Përveç akuzave që lidhen me narkotikët, njëri prej të pandehurve rëndohet edhe me veprën penale “Falsifikimi i parasë”. Një tjetër akuzohet për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e gjatë AK-47, bashkë me municion.
Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se do të vijojë angazhimin në luftën kundër veprave penale të lidhura me narkotikët dhe do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete të tilla.
