Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka folur për zhvillimet prapa themelimit të Gjykatës Speciale, trysninë ndërkombëtare mbi institucionet kosovare dhe përplasjet e forta brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, pas publikimit të raportit të Dick Martyt, institucionet e vendit kishin diskutuar mundësinë e ngritjes së një padie ndaj autorit. Në fillim, partnerët ndërkombëtarë kishin këshilluar që dokumenti të mos trajtohej si diçka serioze.
Hoxhaj ka deklaruar se lajmi për raportin e Dick Martyt kishte dalë fillimisht në The Guardian dhe se po atë ditë ishte zhvilluar një takim me kryeministrin Thaçi. Reagimi fillestar, siç ka treguar ai, ishte që Marty të dërgohej para drejtësisë. Ndërkohë, ambasadorët amerikanë dhe evropianë, si dhe vendet e QUINT-it, kishin vlerësuar se Kosova nuk duhej t’i kushtonte rëndësi raportit.
Ai e ka cilësuar publikimin e raportit të Clint Williamson si goditjen e dytë të madhe për Kosovën. Sipas Hoxhajt, Williamson, përmes një teksti prej 8 faqesh, pretendonte se qëndronin pohimet e ngritura nga Dick Marty.
Duke folur për presionin nga jashtë, ish-ministri ka thënë se fillimisht ndërkombëtarët kishin argumentuar pse duhej ngritur Gjykata Speciale, ndërsa më pas kishin kaluar në ushtrimin e trysnisë së drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Kosovës.
Sipas shpjegimit të dhënë në atë kohë, raporti i Dick Martyt kishte krijuar “re të zeza” mbi Kosovën, të cilat duhej të largoheshin pasi po e dëmtonin vendin. Hoxhaj ka thënë se paralajmërimi ndërkombëtar ishte i qartë: nëse gjykata nuk themelohej nga institucionet kosovare, atë do ta krijonte OKB-ja.
Ai ka theksuar se Kosova shpresonte që, duke e themeluar vetë një gjykatë të sajën, të shmangte mundësinë për t’u bërë viktimë e ndonjë kurthi apo dredhie gjeopolitike. Sipas tij, një vendim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i mbështetur me votat e Rusisë dhe Kinës, mund të sillte pasoja marramendëse për shtetin e Kosovës.
Hoxhaj është pyetur gjithashtu për kundërshtimet që kishin ekzistuar në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale.
Ai ka pohuar se kishte pasur hezitime, diskutime të vështira në grupin parlamentar dhe në kryesinë e PDK-së, si dhe debate e mosmarrëveshje të mëdha brenda vetë Qeverisë së Kosovës.
Hoxhaj ka deklaruar se raportin e Dick Martyt e kishte kundërshtuar me të gjithë potencialin e tij politik dhe akademik, duke e cilësuar atë në thelb si racist. Sipas tij, mënyra se si dokumenti e paraqiste shoqërinë përputhej me konceptin serb për shoqërinë shqiptare.
Ai ka thënë se vetëm pas nisjes së procesit gjyqësor në Hagë ishte kuptuar se raporti i Dick Martyt nuk kishte qenë motivi i vërtetë për krijimin e gjykatës, por se qëllimi kishte qenë tërësisht politik. Hoxhaj ka paralajmëruar se kjo luftë speciale ndaj Kosovës do të vazhdojë dhe se, nëse dënimi konfirmohet në Apel, objektivi i fazës së ardhshme do të jetë shteti i Kosovës.
