Në Kosovë vijojnë protestat pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Përveç kundërshtimit të vendimit gjyqësor, protestuesit i kanë drejtuar disa kërkesa Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës. Ndër kërkesat e tyre është edhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe rritja e mbështetjes për mbrojtjen e të akuzuarve.
Veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, i ka vlerësuar protestat kundër vendimeve të Gjykatës Speciale si të dëmshme dhe kundërproduktive për Kosovën.
Sipas tij, drejtësia nuk mund të arrihet përmes tubimeve në rrugë apo trysnisë politike, por vetëm nëpërmjet gjykatave dhe procedurave të përcaktuara me ligj.
Tahiraj ka dalë gjithashtu në mbështetje të qëndrimeve të ministres Donika Gërvalla.
“Protestat e tilla nuk po i sjellin asnjë të mirë Kosovës. Përkundrazi, ato po i shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nuk është e qartë çfarë logjike ka të kërkohet ‘drejtësi’ në rrugë, përballë një procesi gjyqësor.
Drejtësia nuk përcaktohet nga turmat, protestat apo presioni politik, por nga gjykatat. Nëse dikush beson se është cenuar drejtësia, ai ka në dispozicion mekanizmat dhe rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin. Ankesat duhet të bëhen përmes institucioneve dhe procedurave të parashikuara nga ligji, jo përmes presionit në rrugë.
Donika Gërvalla është pothuajse i vetmi personalitet politik dhe institucional që ka pasur guximin ta artikulojë publikisht, me emër dhe mbiemër, të vërtetën e hidhur. Për këtë qëndrim ajo meriton respekt dhe përkrahje nga të gjithë ata që e duan sinqerisht të vërtetën dhe drejtësinë”, ka deklaruar ai.
Veprimtari ka kundërshtuar edhe kërkesën për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një paradoks.
Ai ka theksuar se Gërvalla duhet të vijojë detyrën, ndërsa çdo kundërshtim ndaj vendimeve gjyqësore duhet të ndiqet përmes institucioneve dhe mjeteve ligjore, jo përmes protestave apo presionit politik.
“Kërkesa që ministrja e Drejtësisë, znj. Gërvalla, të japë dorëheqjen pikërisht tani, nga ata që pretendojnë se po kërkojnë ‘drejtësi’ në rrugë, përbën një paradoks të madh. Të kërkosh largimin e ministres sepse ajo mbron funksionimin e drejtësisë do të thotë, në thelb, të përpiqesh ta heshtësh dhe ta varrosësh të vërtetën.
Jo! Kjo nuk duhet të ndodhë.
Znj. Donika Gërvalla duhet të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit të saj dhe të vijojë të mbrojë parimin se drejtësia nuk mund të zëvendësohet nga presioni i rrugës.
Kosova është shtet dhe, si e tillë, duhet të respektojë institucionet, ligjin dhe proceset gjyqësore. Një vendim mund të mos na pëlqejë, mund të na shkaktojë dhimbje ose mund të mos pajtohemi me të, por reagimi ndaj tij duhet të jetë institucional dhe ligjor.
Edhe kur një vendim është i dhimbshëm, drejtësia duhet të përcaktohet nga gjykatat. Vendimet e tyre nuk mund të zëvendësohen me brohoritje, protesta apo trysni politike.
Në një shtet ligjor, drejtësia kërkohet në gjykatë dhe jo në rrugë”, ka përfunduar Tahiraj.
