Nga Milano, aktivisti Aleks Vulaj, deklaroi për televizionin News24 se diaspora dhe qytetarët që kundërshtojnë kabinetin e drejtuar nga Edi Rama kërkojnë me vendosmëri krijimin e një qeverie teknike, të cilën e konsiderojnë të domosdoshme për të garantuar të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas Vulajt, protesta qytetare synon rivendosjen e shtetit të së drejtës. Ai tha se reagimet negative të kryeministrit dëshmojnë se pushteti është në panik, ndërsa Edi Rama e sheh veten të zënë në grackë dhe nuk di si të veprojë.
Të lidhura
None found
Aktivisti u shpreh se rrëzimi i pushtetit të Edi Ramës dhe formimi i një ekzekutivi teknik janë kërkesa të realizueshme. Ai nënvizoi se protestuesit duan shtet dhe jo pushtet, ndërsa një qeveri teknike, pasi sipas tij, do t’u jepte forcë e shpresë për të vazhduar drejt ëndrrës së madhe evropiane.
Vulaj paralajmëroi gjithashtu se, qëndresa e diasporës nuk do të mbetet vetëm te protestat e organizuara jashtë vendit. Nëse kërkesat nuk marrin përgjigje, ai tha se aktivistët do të vijnë edhe në Shqipëri dhe do ta përshkallëzojnë reagimin.
Ai bëri të ditur se tubimet në Milano do të vazhdojnë, ndërsa mes skenarëve të paralajmëruar përmendi nisjen e një greve urie, zhvillimin e protestave pa ndërprerje dhe bllokimin e infrastrukturës, në rast se nuk do të ketë reagim.
