Drejtuesi i një taksie ujore është vënë nën hetim pas aksidentit të rëndë në lagunën e Venecias, ku humbën jetën Gabriella Querino Elorriaga dhe Sean Michieli. Në gjakun dhe urinën e tij dyshohet se janë zbuluar gjurmë alkooli dhe substancash narkotike.
Të lidhura
None found
Sipas raportimit të “Corriere del Veneto”, dy viktimat ndodheshin në një varkë karakteristike veneciane në momentin kur ajo u godit nga taksia ujore.
Të dhënat paraprake tregojnë se sasitë e alkoolit dhe të substancave të evidentuara nuk ishin të larta. Megjithatë, rezultatet do t’u nënshtrohen analizave dhe verifikimeve të tjera klinike.
Rregullat për personat që drejtojnë mjete ujore për transportin e pasagjerëve kërkojnë që ata të mos kenë në organizëm as alkool dhe as substanca narkotike.
Në të njëjtën kohë, pronari i taksisë ujore ka dorëzuar në Zyrën e Mobilitetit të Bashkisë së Venecias një kërkesë për transferimin e licencës së transportit.
Një veprim i tillë mund të ndikojë edhe në procedurën e mundshme të dëmshpërblimit të familjeve të dy viktimave. Prokurorja Daniela Moroni po drejton hetimin për veprat penale të vrasjes në det dhe mbytjes së shkaktuar nga pakujdesia.
Ekspertët që do të shqyrtojnë provat dhe do të rindërtojnë mënyrën se si ndodhi aksidenti pritet të marrin detyrën më 24 shtator. Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu një letërporosi ndërkombëtare, në mënyrë që dy pasagjerët që gjendeshin në taksinë ujore gjatë përplasjes të merren në pyetje si dëshmitarë.
Dy pasagjerët janë një çift amerikan, i cili po udhëtonte drejt aeroportit të Tessera-s për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.
