Deputetja e pavarur shqiptare Marjana Koçeku, u prit në Parlamentin Federal të Belgjikës nga deputeti Michel De Maegd, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Gjatë bisedës, De Maegd tha se Koçeku, u shkëput nga partia e kryeministrit shqiptar për shkak të pakënaqësive të mëdha ndaj mënyrës së qeverisjes, mungesës së transparencës dhe represionit të ushtruar ndaj protestave qytetare.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në rolin e deputetes së pavarur, Koçeku synon të përfaqësojë zërin e shoqërisë civile në përpjekjen për ndërtimin e një Shqipërie moderne, e cila distancohet nga korrupsioni.
Deputeti belg, e cilësoi hapjen e një ambasade të Belgjikës në Tiranë si një zhvillim me rëndësi për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Ai theksoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian, është një faktor kyç për sigurinë dhe se Belgjika do të vijojë të mbështesë reformat themelore në Shqipëri.
Koçeku publikoi në “Facebook”, fotografi nga takimi dhe shprehu vlerësimin e saj për Michel De Maegd, të cilin e konsideron një mbështetës të hershëm dhe të fortë të çështjes shqiptare. Ajo kujtoi se deputeti belg ka qenë edhe në Kosovë gjatë luftës.
“Gjatë këtyre dy ditëve ndodhem në Bruksel, e ftuar zyrtarisht nga parlamenti belg. Ndihem e nderuar që takimin e parë e zhvillova me deputetin Michel De Maegd.
Kam një respekt të veçantë për z. De Maegd, pasi ai ka qenë një përkrahës i palëkundur i çështjes shqiptare që prej rinisë së tij, veçanërisht gjatë viteve 1998-1999, kur raportoi si gazetar nga lufta në Kosovë.
Gjatë takimit ndamë qëndrime të përbashkëta për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe diskutuam gjatë mbi domosdoshmërinë e zgjidhjes së plotë të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ai ka një rol të veçantë, veçanërisht në politikën belge.
Në përfundim, më tregoi edhe disa fotografi të realizuara gjatë luftës, të cilat kam kënaqësinë t’i ndaj me ju”, shkroi Koçeku.
