Gjatë qëndrimit në Uashington, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mbajti një fjalim në Këshillin Atlantik, ku prezantoi prioritetet strategjike të ekzekutivit, rolin e vendit në rajon, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, procesin e integrimit evropian dhe projektet për zhvillim në sferat ekonomike, infrastrukturore, energjetike e teknologjike.
Të lidhura
None found
Mickoski nënvizoi se aleanca strategjike mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së është një bashkëpunim i ndërtuar përgjatë dekadave dhe se qeveria ka një përkushtim të prerë për ta thelluar më tej këtë lidhje.
Ai vuri në dukje se, ndonëse Maqedonia e Veriut është një shtet i vogël, ajo zë një pozitë gjeostrategjike jashtëzakonisht të rëndësishme në zemër të Ballkanit, duke shërbyer si një udhëkryq natyror për korridoret kyçe evropiane të transportit dhe energjisë.
Kryeministri theksoi se politika qeveritare mbështetet në parashikueshmëri dhe përmbushje të detyrimeve të marra. Në këtë kontekst, ai potencoi se vendi ka një plan të qartë lidhur me angazhimet si anëtar i NATO-s, që përfshin rritjen graduale të fondeve për mbrojtjen dhe investimet në infrastrukturën strategjike, autostrada, hekurudha dhe sisteme transmetimi energjie.
Mickoski gjithashtu veçoi sigurinë kibernetike si një nga sfidat kryesore për të ardhmen.
Si pjesë e agjendës së reformave me Bashkimin Evropian, qeveria planifikon të ndërtojë një qendër primare të dhënash, e cila do të ndërlidhë institucionet publike, do të jetë e lidhur me qendrën ekzistuese dytësore të rikuperimit të të dhënave dhe do të sigurohet edhe përmes infrastrukturës cloud. Qëllimi është që shteti të krijojë një sistem më të fortë e më elastik për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve moderne kibernetike.
Përsa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, Mickoski nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet tërësisht e përkushtuar ndaj anëtarësimit, por që ky proces duhet të udhëhiqet nga reformat dhe meritat, dhe jo nga hapja e pandërprerë e çështjeve të reja bilaterale.
