Java e pestë e “Abissnet Superiore” do të hapet me përballjen Vllaznia–Teuta. Shkodranët do t’i presin durrsakët në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa takimi është programuar të nisë në orën 18:30.
Të lidhura
None found
Kuqeblutë e kanë filluar dobët kampionatin dhe kjo rënie që në javët e para përbën një sinjal shqetësues. Situata bëhet edhe më e pazakontë po të kujtohet se Vllaznia e përfundoi edicionin e kaluar në vendin e parë të renditjes së rregullt, përpara fazës “Final Four”.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini mban aktualisht vendin e fundit në klasifikim, me vetëm 2 pikë të grumbulluara. Edhe golavarazhi paraqitet problematik, pasi shkodranët kanë realizuar 5 gola dhe kanë pësuar 8.
Në krahun tjetër, Teuta e Edlir Tetovës ka nisur të frikësojë kundërshtarët me paraqitjet e saj. Pas katër javëve të para, “Djemtë e Detit” kryesojnë renditjen me 10 pikë dhe kanë një golavarazh 8 me 2.
Këto shifra janë mbresëlënëse për një ekip që ka krijuar identitetin e nevojshëm për t’u konsideruar pretendent për titullin. Në fushë do të përplasen dy skuadra me statistika tërësisht të kundërta: sulmi i dytë më i mirë i Superiores përballë mbrojtjes së dytë më të dobët.
Kjo e dhënë shton shqetësimin te Vllaznia një ditë përpara sfidës, pasi skuadra e Tetovës është shndërruar në një ekip tepër të rrezikshëm para portës. Për shkodranët parashikohet një përballje e vështirë, teksa mes problemeve të shumta duhet të gjejnë zgjidhje edhe për repartin e prapavijës.
