Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se ka refuzuar zbatimin e dy vendimeve të para të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e magjistratëve, duke i shkelur ato.
Bardhi kërkoi në emër të PD-së që projektligji për pagat të hiqet nga rendi i ditës i seancës, me qëllim që konsultimet të vazhdojnë. Ai bëri të ditur se të njëjtën kërkesë e kishte paraqitur edhe në Konferencën e Kryetarëve.
Të lidhura
None found
Sipas Bardhit, nëse procedura vijon në këtë mënyrë, ekziston rreziku që të mos respektohet as vendimi i tretë i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Ai deklaroi se Kuvendi po shqyrton një çështje të rëndësishme për statusin e magjistratëve, e cila është zvarritur prej 7 vitesh. Bardhi theksoi se për këtë problematikë ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe se ai që po merret në shqyrtim është i treti, ndërsa dy vendimet e mëparshme, sipas tij, janë shkelur ose nuk janë zbatuar nga mazhoranca.
Bardhi vlerësoi se konsultimi me magjistratët nuk ka qenë efektiv. Ai tha se, gjatë zhvillimit të komisioneve parlamentare, janë paraqitur referime nga shoqata e gjyqtarëve, ndërsa drejtuesit e saj janë njoftuar vetëm 30 minuta përpara se të dëgjoheshin.
Për këtë arsye, ai i bëri thirrje Kuvendit ta tërheqë ligjin, me argumentin se po shkelet Kushtetuta. Sipas tij, duhet të caktohet koha e nevojshme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj problematike.
Bardhi nënvizoi se sistemi i drejtësisë nuk mund të mbahet nën presionin e qeverisë dhe se çështjet financiare të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të trajtohen me papërgjegjshmëri, në mënyrë që ata të ushtrojnë drejtësinë.
