Procedura që ndiqet për kundërshtimin në apel të vendimit të Speciales

Mbrojtja e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë në apel aktgjykimin dënues, të cilin trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e shpalli më 16 shtator.

Të lidhura

None found

Sipas këtij vendimi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim për katër pika të aktakuzës. Kadri Veselit iu shqiptua dënimi me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet.

Katër ish-eprorët e UÇK-së u gjetën penalisht përgjegjës për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Në të njëjtin aktgjykim, trupi gjykues hodhi poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.

Aktgjykimi mund të kundërshtohet nga të dyja palët. Mbrojtja ka të drejtë të kërkojë anulimin e plotë të tij ose uljen e dënimeve për pika të caktuara të aktakuzës, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të synojë shqiptimin e dënimeve më të ashpra.

ZPS-ja e përshëndeti vendimin dënues, por njoftoi se do ta analizojë tërësisht aktgjykimin, duke përfshirë edhe pjesën me të cilën u rrëzuan akuzat për krime kundër njerëzimit.

Procedura e apelimit zhvillohet përmes disa hapave dhe afateve të përcaktuara.

Rregullorja e Procedurës dhe Provave përcakton se pala që kundërshton vendimin e gjykatës, dënimin ose të dyja, duhet të paraqesë njoftimin për apel brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit. Në këtë dokument duhet të renditen shkaqet mbi të cilat mbështetet ankesa.

Pas kësaj, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit, i përbërë nga tre anëtarë, mund të emërojë njërin prej gjykatësve si raportues për fazën paraapeluese. Detyra e tij është të trajtojë aspektet procedurale dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për përgatitjen e çështjes, përmes vendimeve, urdhrave dhe udhëzimeve. Gjykatësi raportues duhet ta mbajë rregullisht të informuar panelin e Apelit, veçanërisht kur lindin kundërshtime për çështje procedurale.

Brenda 21 ditësh nga paraqitja e njoftimit për apel, kryegjykatësi ose gjykatësi raportues thërret një konferencë, në të cilën diskutohen çështjet që lidhen me ankesën.

Pala apeluese më pas duhet të paraqesë dosjen e apelit, ku përfshihen të gjitha argumentet dhe burimet ligjore që mbështesin arsyet e kundërshtimit. Afati për dorëzimin e saj është 60 ditë, ndërsa shkurtohet në 30 ditë kur ankesa lidhet vetëm me dënimin e shqiptuar.

Në vijim dorëzohet dosja e përgjigjes, përmes së cilës pala tjetër paraqet argumentet e veta juridike. Afati është 30 ditë për argumentet dhe burimet ligjore, kurse 15 ditë nëse çështja kufizohet vetëm te dënimi, duke u llogaritur nga paraqitja e dosjes. Pas saj vjen dosja e kundërpërgjigjes, për të cilën vlejnë afate më të shkurtra: 15 ditë, përkatësisht 10 ditë kur kundërshtimi ka të bëjë vetëm me dënimin.

Pasi të përfundojnë këto afate, Gjykata e Apelit cakton datën e seancës vetëm “nëse është e nevojshme”, siç thuhet në rregullore.

Gjatë procesit të apelimit, palët mund të propozojnë edhe prova shtesë. Në rast se ato pranohen, palës tjetër i jepet mundësia të paraqesë kundërprova.

Kur merr vendimin, Paneli i Apelit vlerëson si materialet që tashmë gjenden në dokumentacionin e çështjes, ashtu edhe çdo provë të re të pranuar.

Me përfundimin e parashtrimeve të palëve, paneli mblidhet për ta shqyrtuar çështjen dhe nxjerr aktgjykim mbi dokumentacionin e apelit dhe çdo provë shtesë të lejuar.

Gjykata e Apelit mund ta lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ta anulojë ose ta ndryshojë atë, si dhe të urdhërojë zhvillimin e një rigjykimi.

Nëse apeli paraqitet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, shkalla e Apelit nuk mund të japë një vendim më të rëndë se ai i shqiptuar në shkallën e parë.

Aktgjykimi në apel duhet të shpallet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve. Mund të kërkohet zgjatje e këtij afati, por ajo nuk lejohet të jetë më shumë se një muaj dhe duhet të arsyetohet.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar njeh tri baza për apelimin e vendimeve të shkallës së parë: një gabim në një çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, një gabim faktik që ka sjellë dështim të drejtësisë ose një gabim që lidhet me caktimin e dënimit.

Nëse vendimi i Apelit nuk i kënaq palët, rasti mund të dërgohet fillimisht në Gjykatën Supreme dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Avokatët mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi kanë deklaruar se përfundimi i procesit të apelimit mund të kërkojë vite.

Vendimi i trupit gjykues

Trupi gjykues i shpalli fajtorë katër ish-eprorët e UÇK-së për krime lufte pas 41 muajsh nga fillimi i procesit gjyqësor, ndërsa nuk i pranoi akuzat për krime kundër njerëzimit.

Në vlerësimin e trupit gjykues, katër të akuzuarit, së bashku me drejtues të tjerë, synonin pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e kontrollit politik e institucional në një Kosovë të pavarur.

Gjykata konstatoi se, për arritjen e këtyre synimeve, ata ndanin qëndrimin se persona të caktuar, të perceptuar si pengesë, duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Në këtë kategori, sipas aktgjykimit, përfshiheshin ndër të tjera anëtarë apo përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, sidomos individë të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, persona që konsideroheshin të afërt me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues deklaroi se qëllimi i përbashkët ishte vënë në zbatim nëpërmjet vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që aktgjykimi e përkufizon si “luftë speciale”.

Sipas trupit gjykues, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, dhanë kontribut në realizimin e këtij qëllimi të përbashkët.

Për Thaçin, gjykatësit vlerësuan se ai kishte rol kyç si në hartimin, ashtu edhe në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Ata konstatuan gjithashtu se ai kishte marrë pjesë personalisht në disa krime, duke veçuar rastin e Behajdin Allaqit.

Në lidhje me Veselin, Gjykata Speciale iu referua funksionit të tij si drejtues i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së. Sipas përfundimeve të trupit gjykues, ky organ ishte përgjegjës për identifikimin, mbikëqyrjen dhe neutralizimin e personave që dyshoheshin si “kolaboracionistë”. Dhomat e Specializuara konstatuan se Veseli nuk kishte ndërmarrë masa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, ndonëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues arriti në përfundimin se kontributi i tij në zbatimin e qëllimit të përbashkët ishte i qenësishëm. Megjithatë, gjykata theksoi se posti i inspektorit të Përgjithshëm të UÇK-së i siguronte atij më pak autoritet mbi pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, në krahasim me disa nga të akuzuarit e tjerë.

Sa i përket Krasniqit, i cili gjatë luftës ishte zëdhënës i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, gjykata vlerësoi se ai e kishte shfrytëzuar pozitën, rolin udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për të zbatuar aspektet kriminale të qëllimit të përbashkët.


Shtuar 16.09.2026 19:00

sultanbeyli escortparla iptvpusulabetpusulabetjojobetjojobetholiganbetjojobetholiganbetvize başvurumarsbahisgrandpashabetgrandpashabetcasibom girişcasinofaststarzbetjojobetholiganbetJojobetMarsbahisextrabetjojobetjojobetbahsegelizmir escortMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibombetparkgooglebahsegelstarzbetsekabetcasibom