Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me indinjatë dhe zhgënjim ndaj aktgjykimit të shpallur sot nga Gjykata Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj për media, PDK-ja vlerëson se vendimi përbën një goditje të rëndë ndaj të drejtës së popullit të Kosovës, i cili luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.
Sipas partisë, aktgjykimi është i padrejtë dhe mbështetet në pretendime e materiale që ajo i konsideron të fabrikuara ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë, me synim kriminalizimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. PDK-ja thekson se vendimi mund të jetë hartuar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në vend me sakrificë, gjak dhe luftë për liri.
Partia shton se kjo histori është ndërtuar nga populli që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga aleanca historike me botën demokratike, e cila në vitin 1999 i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.
PDK-ja nënvizon se agresori ishte Serbia, viktimë ishte Kosova, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqësonte përgjigjen e popullit që kërkonte të jetonte i lirë. Sipas saj, këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim.
Në reagim thuhet gjithashtu se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë për t’iu shmangur drejtësisë, por iu përgjigjën vullnetarisht procesit, me besimin se e vërteta do të triumfonte. Për këtë arsye, PDK-ja e konsideron vendimin një goditje të rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, ndërsa qytetarët, sipas saj, ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer.
Partia Demokratike e Kosovës deklaron se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes argumenteve, të gjitha mjeteve demokratike dhe çdo forumi ku duhet të mbrohet e vërteta për luftën e Kosovës. Ajo e cilëson luftën e UÇK-së si të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare, duke theksuar se njerëzit që udhëhoqën luftën dhe proceset politike që sollën lirinë e shtetin e Kosovës nuk mund të fshihen nga historia përmes një vendimi gjyqësor.
PDK-ja e përshkruan këtë si një ditë të rëndë për Kosovën, por thekson se as historia dhe as beteja për të vërtetën nuk kanë përfunduar. Partia thotë se do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës çlirimtare dhe ata që morën mbi vete barrën e lirisë së Kosovës, duke insistuar se aktgjykimi nuk përbën fjalën e fundit. Ajo premton se do të luftojë për drejtësinë deri në fund, nuk do të heshtë për të vërtetën dhe nuk do t’i lërë vetëm heronjtë e luftës dhe paqes, ndërsa beteja për lirimin e tyre do të vazhdojë.
