Erlis Çela
Dezinformimi është kthyer në një shqetësim serioz për shoqëritë e sotme. Ndonëse në thelb nuk përbën një fenomen të ri, zhvillimet teknologjike, ndryshimi i sjelljes së publikut ndaj burimeve të informacionit dhe mënyrat e reja të konsumimit të përmbajtjes e kanë kthyer atë në një temë shumë të diskutuar dhe të debatuar në mbarë botën.
Të lidhura
None found
Në përgjithësi, dezinformimi synon të manipulojë opinionin publik dhe të krijojë ndasi në shoqëri. Integrimi në Bashkimin Evropian është një nga çështjet për të cilat nevojitet një konsensus i qëndrueshëm shoqëror. Për pjesën më të madhe të qytetarëve në Shqipëri, Evropa vazhdon të përfaqësojë një hapësirë zhvillimi, sigurie, lirie dhe mundësish.
Megjithatë, pavarësisht këtij orientimi të përgjithshëm, procesi ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, është zgjatur në kohë dhe është bërë gjithnjë e më teknik dhe kompleks për publikun e gjerë. Është deri diku e kuptueshme që publiku ta mbështesë anëtarësimin, por, njëkohësisht, të ketë njohuri të kufizuara për negociatat, detyrimet që duhet të përmbushë vendi, mënyrën se si merren vendimet në Bruksel dhe përgjegjësitë që u takojnë institucioneve shqiptare. Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet mbështetjes emocionale dhe njohjes së pamjaftueshme mund të gjejnë terren keqkuptimet dhe dezinformimi.
Në rastin e integrimit evropian, dezinformimi nuk shfaqet vetëm përmes lajmeve tërësisht të rreme. Më shpesh, ai ndërtohet me gjysmë të vërteta, tituj të shkëputur nga konteksti, deklarata të përkthyera nga burime të huaja, interpretime të ekzagjeruara të vendimeve evropiane dhe premtime politike që paraqiten si fakte të kryera. Një pjesë e përmbajtjeve nuk synon domosdoshmërisht ta kthejë publikun kundër Bashkimit Evropian. Qëllimi parësor mund të jetë krijimi i konfuzionit, keqkuptimeve, lodhjes dhe mosbesimit ndaj procesit.
Në rastin e përmbajtjeve apo narrativave dezinformuese kundër BE së, pyetja kryesore nuk lidhet vetëm me autorin e tyre dhe interesat që ai përfaqëson. Ajo që ka rëndësi në këtë rast është të kuptohet se përse një pjesë e publikut u beson, i shpërndan dhe i mbron këto narrativa. Studimet e shumta në këtë drejtim tregojnë se përgjigjja nuk mund të reduktohet vetëm te mungesa e informacionit. Në këtë proces ndërveprojnë shumë faktorë, përfshirë kompleksitetin e procesit të integrimit, përvojën e zgjatur të pritjes, interesat politike të aktorëve të ndryshëm, emocionet, identitetin, mosbesimin ndaj medias dhe institucioneve, përsëritjen e pretendimeve të rreme, si dhe vetë arkitekturën e platformave digjitale.
Një mënyrë e dobishme për ta zbërthyer këtë sjellje ofrohet nga teoria e zbulimit të sinjalit (Signal Detection Theory). Sipas kësaj qasjeje teorike, ekzistojnë tre faktorë të dallueshëm që mund t’i bëjnë njerëzit ta gjykojnë gabimisht dezinformimin si të vërtetë: ndjeshmëria e ulët ndaj së vërtetës, pragu i ulët i pranimit dhe paragjykimi konfirmues. Në rastin e integrimit evropian, një pjesë e publikut mund ta ketë të vështirë të dallojë informacionin e saktë nga ai i pasaktë, ndërsa një pjesë tjetër mund të pranojë lehtësisht çdo pretendim që tingëllon më afër së mundshmes. Sipas së njëjtës qasje, një kategori tjetër mund të besojë kryesisht narrativat që përputhen me qëndrimet e saj ndaj qeverisë, Brukselit ose identitetit kombëtar. Ky dallim është i rëndësishëm, sepse secili mekanizëm kërkon një përgjigje specifike.
Në Ballkanin Perëndimor, dezinformimi shfrytëzon pakënaqësitë e ndryshme, si edhe keqkuptimet e krijuara më parë në lidhje me procesin. Vonesat, premtimet e papërmbushura dhe paqartësia mbi afatet kanë ndikuar në besueshmërinë e perspektivës evropiane. Kjo krijon një terren ku narrativat kundër zgjerimit nuk kanë nevojë të shpikin gjithçka. Këto narrativa marrin një fakt real, siç është zgjatja e procesit, dhe i japin atij një shpjegim absolut: Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë kurrë Shqipërinë apo vendet e tjera të Ballkanit; kërkesat janë vetëm një justifikim; ose vendi po mbahet qëllimisht në pritje. Këtu qëndron fuqia e gjysmës së të vërtetës.
Studimet mbi mjedisin shqiptar tregojnë se disa nga narrativat më të dukshme e paraqesin Bashkimin Evropian si një projekt në dështim, si një aktor me standarde të dyfishta, si një fuqi që nuk e dëshiron Shqipërinë ose si një kërcënim për sovranitetin, besimin fetar dhe vlerat tradicionale. Krahas tyre shfaqet ideja se Rusia ose Kina janë alternativa më të sinqerta dhe më bujare. Këto mesazhe nuk qarkullojnë gjithmonë si fushata të centralizuara. Ato formojnë një ekosistem ku ndërthuren burime të huaja, portale vendase, figura politike, komentues, faqe në rrjetet sociale dhe personazhe me ndikim. Një narrativë mund të lindë jashtë vendit, por bëhet efektive vetëm pasi përshtatet me frustrimet dhe ndarjet lokale.
Kjo është arsyeja përse ndarja e prerë ndërmjet dezinformimit të huaj dhe atij vendas shpesh është e pamjaftueshme. Aktorët e jashtëm ofrojnë tema, gjuhë dhe interpretime, ndërsa aktorët vendas u japin atyre kuptim politik dhe audiencë. Një deklaratë e një zyrtari rus mund të përkthehet pa kontekst nga disa portale, të shndërrohet në një titull emocional dhe më pas të shpërndahet në Facebook si provë se Evropa është hipokrite ose se Perëndimi po fsheh të vërtetën. Burimi fillestar mund të humbasë gjatë qarkullimit të lajmit në portale të ndryshme. Nga ana tjetër, audienca sheh vetëm një fragment që duket sikur është konfirmuar nga shumë media, ndonëse të gjitha mund të kenë kopjuar të njëjtin material.
Një monitorim i medias shqiptare për periudhën nga 15 maji 2023 deri më 15 maj 2024 identifikoi më shumë se 193 mijë artikuj të lidhur me NATO dhe Bashkimin Evropian. Pas filtrimit, rezultoi se 1 263 artikuj përmbanin narrativa dezinformuese ose përçarëse kundër këtyre organizatave dhe vendeve anëtare. Studimi evidentoi tituj sensacionalë, mungesë autorësie, mbështetje në një burim të vetëm, përkthime automatike, mungesë të kontrollit redaksional dhe riciklim të të njëjtave narrativa si lajme të reja. Artikujt e identifikuar prodhuan afro 17 mijë ndërveprime në Facebook. Këto të dhëna tregojnë se ekziston një mekanizëm i qëndrueshëm, përmes të cilit narrativa të caktuara hyjnë në qarkullimin mediatik dhe fitojnë dukshmëri.
Përsëritja është veçanërisht e rëndësishme. Sa më shpesh ta hasim një pohim, aq më i njohur dhe më i lehtë për t’u përpunuar bëhet ai. Publiku mund ta interpretojë përsëritjen e lajmeve të tilla si shenjë vërtetësie. Nëse pretendimi se Bashkimi Evropian po humbet fuqinë ose se nuk e dëshiron Shqipërinë shfaqet vazhdimisht në tituj, video dhe komente, ai fillon të perceptohet si një shqetësim gjerësisht i përhapur dhe jo si një tezë e prodhuar nga aktorë të caktuar.
Përmbajtjet që lidhen me integrimin përfitojnë gjithashtu nga vëmendja e pamjaftueshme që audiencat i kushtojnë saktësisë. Gjatë përdorimit të përditshëm të rrjeteve sociale, përdoruesi nuk e vlerëson çdo informacion përmes një procesi të plotë verifikimi. Ai mbështetet në tregues të shpejtë, që lidhen me faktin nëse pretendimi duket i njohur apo jo, nëse tingëllon bindës, nëse vjen nga një figurë publike e njohur, si dhe me numrin e shpërndarjeve.
Emocionet i japin narrativës energjinë e nevojshme për të qarkulluar. Frika se vendi do të humbasë identitetin dhe zemërimi ndaj standardeve të perceptuara si të dyfishta mund ta ngushtojnë hapësirën për reflektim. Pretendimi nuk pranohet vetëm sepse duket faktikisht i vërtetë, por edhe sepse i jep formë një ndjenje që ekziston në shoqëri. Studimet tregojnë se, kur një narrativë dezinformuese shpjegon zhgënjimin, përcakton një fajtor dhe ofron një përfundim të qartë, ajo mund të jetë psikologjikisht më tërheqëse sesa një analizë e kujdesshme dhe e ndërlikuar.
Paragjykimet personale janë një tjetër faktor që ndikon në besimin e publikut ndaj përmbajtjeve dezinformuese. Një qytetar që e sheh qeverinë si përgjegjëse për ngecjen e reformave mund të pranojë më lehtë çdo lajm që e paraqet procesin si dështim të institucioneve shqiptare. Nga ana tjetër, një mbështetës i qeverisë mund të pranojë më lehtë pretendimin se vonesat shkaktohen vetëm nga padrejtësia e Brukselit. Ndërkohë, dikush me qëndrime të forta konservatore mund të jetë më i hapur ndaj narrativës se integrimi kërcënon familjen, fenë ose identitetin kombëtar. I njëjti informacion nuk vlerësohet vetëm në bazë të provave, por edhe në bazë të asaj që i mundëson secilit grup të ruajë shpjegimin e vet politik dhe moral.
Është e rëndësishme të nënvizohet se besimi në përmbajtjet e rreme dhe shpërndarja e tyre nuk janë e njëjta gjë. Një individ mund të shpërndajë një pretendim të rremë pa qenë plotësisht i bindur për vërtetësinë e tij. Arsyet përse mund ta bëjë këtë janë të shumta.
Mbrojtja e një narrative dezinformuese fillon kur ajo bëhet pjesë e identitetit dhe reputacionit të individit. Nëse dikush e ka shpërndarë vazhdimisht idenë se Bashkimi Evropian nuk e do Shqipërinë, ka debatuar publikisht dhe ka investuar statusin apo imazhin e vet publik në këtë qëndrim, pranimi i provave që e kundërshtojnë atë bëhet më i kushtueshëm. Në këtë rast, korrigjimi nuk përjetohet më thjesht si informacion i ri, por si kërkesë për të pranuar një gabim para grupit. Në këtë fazë, burimi që sjell faktet kundërshtuese mund të cilësohet si i kapur nga qeveria, nga Brukseli ose nga interesa të huaja. Sistemi i bindjeve mbron veten duke e kthyer edhe përgënjeshtrimin në pjesë të komplotit.
Në shumë raste, keqkuptimet ushqehen edhe nga komunikimi politik dhe nga konteksti polarizues në të cilin zhvillohet ai. Në diskursin e përditshëm politik, integrimi mund të paraqitet si sukses personal i qeverisë ose si provë e dështimit të saj, në varësi të interesit të momentit. Në këtë mënyrë, qytetarët marrin versione konkurruese të realitetit, por jo domosdoshmërisht më shumë njohuri dhe fakte rreth procesit.
Një qasje transparente dhe gjithëpërfshirëse është më se e nevojshme në komunikimin për procesin e integrimit nga të gjithë aktorët e përfshirë. Publikut duhet t’i shpjegohet se çfarë ndryshon konkretisht nga një reformë e ndërmarrë, kush mban përgjegjësi për zbatimin e saj dhe si lidhet ajo me jetën e përditshme. Kur institucionet prodhojnë pak informacion të qartë dhe të verifikuar, ka gjasa që vakumi i krijuar të plotësohet nga dezinformimi dhe përmbajtjet manipuluese.
Nga ana tjetër, edhe verifikimi i fakteve, megjithëse i domosdoshëm, nuk e adreson plotësisht problemin e dezinformimit. Një përgënjeshtrim i vonuar ka pak gjasa të arrijë të njëjtën audiencë si lajmi i rremë, i cili është provuar se qarkullon shumë më shpejt në rrjetet sociale. Për më tepër, heqja e një fakti të rremë pa ofruar një shpjegim alternativ lë një boshllëk në narrativë. Nëse thuhet vetëm se Evropa nuk e ka refuzuar Shqipërinë, publikut i mbetet ende pyetja se përse procesi ka zgjatur kaq shumë.
Përvoja e vendeve të Bashkimit Evropian tregon se nuk ekziston një masë e vetme kundër dezinformimit. Qasjet më të qëndrueshme ndërthurin edukimin mediatik, mbështetjen për verifikimin e fakteve, komunikimin strategjik, transparencën e platformave, kërkimin shkencor dhe forcimin e medias së pavarur. Përdorimi i ligjit penal për të ndëshkuar lajmet e rreme mbetet problematik, sepse mund të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të përdoret kundër kritikës legjitime. Rezistenca shoqërore ndërtohet më mirë përmes një qasjeje ku bashkëpunojnë institucionet, mediat, universitetet, shoqëria civile dhe platformat.
Kuadri rregullator shqiptar trajton raste të veçanta, si informacionet e rreme që shkaktojnë panik, ndërsa dezinformimi ende nuk ka një përkufizim specifik dhe të plotë. Për këtë arsye, rëndësi të veçantë marrin vetërregullimi i medias, politikat e korrigjimit, transparenca e burimeve, përgjegjësia editoriale dhe edukimi mediatik. Këto masa duhet të zhvillohen duke shmangur ndërhyrjet e nxituara ligjore që, nën arsyetimin e luftës kundër dezinformimit, mund të kufizojnë lirinë e shprehjes.
Në Shqipëri, kjo kërkon, së pari, një gazetari më të specializuar për çështjet evropiane. Raportimi duhet të kalojë nga përcjellja e deklaratave te shpjegimi i procesit, nga përkthimi automatik te verifikimi i burimit dhe nga titulli emocional te konteksti. Së dyti, institucionet duhet të komunikojnë rregullisht dhe jo vetëm kur duan të shpallin suksese. Së treti, edukimi mediatik duhet t’u mësojë qytetarëve jo thjesht të dallojnë një faqe të dyshimtë, por edhe të kuptojnë se si ndërtohet një narrativë, si riciklohet një burim dhe si përdoren emocionet për t’i dhënë kuptim politik një gjysmë të vërtete.
Për ta kuptuar më mirë procesin e përhapjes së dezinformimit dhe besimin që krijojnë audiencat ndaj këtyre përmbajtjeve, mund të na ndihmojë një kornizë e thjeshtë. Në fillim kemi të bëjmë me kushtet e ekspozimit ndaj dezinformimit. Këtu përfshihen kompleksiteti i integrimit, pritja e gjatë, mbulimi sipërfaqësor, kopjimi i lajmeve dhe rekomandimet algoritmike të platformave. Në ditët e sotme, këtyre kushteve mund t’u shtohet edhe roli i inteligjencës artificiale. Në këtë terren veprojnë karakteristikat e mesazhit, si titulli provokues, ngarkesa emocionale, burimi që duket autoritar dhe pretendimi që përputhet me një zhgënjim ekzistues. Më pas, mesazhi kalon nëpër filtrat e individit. Njohuritë, identiteti politik dhe ideologjik, besimi tek institucionet dhe gatishmëria për ta pranuar informacionin pa prova shtesë përbëjnë elementet individuale. Korniza përfshin edhe tri faza: besimin, shpërndarjen dhe mbrojtjen e dezinformimit.
Në fazën e parë, narrativa pranohet sepse duket e njohur dhe më afër së mundshmes. Në fazën e dytë, ajo shpërndahet për arsye që mund të jenë politike, emocionale ose shoqërore. Çdo shpërndarje e re e përmbajtjes së rreme rrit familjaritetin dhe krijon përshtypjen se ky informacion ka marrë një lloj konfirmimi të gjerë. Ndërkohë, në fazën e tretë, korrigjimi përplaset me identitetin, reputacionin dhe besnikërinë e përdoruesit ndaj grupit. Nisur nga logjika e kësaj kornize, është e rëndësishme që përgjigjja ndaj dezinformimit të përshtatet me secilën fazë. Integrimi në Bashkimin Evropian është edhe një proces informimi publik. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë se çfarë po negociohet në emër të tyre, dezinformimi mund ta bëjë perspektivën e integrimit gjithnjë e më të largët, më të paqartë dhe më pak të besueshme.
*Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.
