Një episod i rrallë ka tërhequr vëmendjen e opinionit spanjoll pak para fillimit të ndeshjes së javës së pestë të La Ligës, ku Real Madridi triumfoi 3-2 përballë Elches.
Teksa lojtarët e të dy ekipeve ishin paraparë të dilnin në fushë me bluza që shprehnin solidaritet me enklavën spanjolle të Ceutës, tre futbollistë zgjodhën një qëndrim tjetër. Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Ibrahima Konaté nuk iu bashkuan kësaj nisme.
Të lidhura
None found
Ata u shfaqën me fanellat e fushatës të vendosura mbi supe ose të mbajtura në dorë, duke mbuluar kështu mbishkrimin “Të gjithë jemi skumbri”, termi me të cilin njihen banorët e atij qyteti.
Në rrjete sociale u shpërndanë me shpejtësi imazhet nga tuneli, të cilat pretendohet se e shfaqin Viniciusin teksa i sugjeron Mbappes mënyrën se si ta fshihte mesazhin.
Kjo fushatë ishte organizuar si një akt mbështetjeje për Ceutën, qytetin veri-afrikan që në fund të korrikut përjetoi një valë të madhe emigrantësh nga Maroku, çka solli një seri problemesh dhe incidentesh.
Vlen të theksohet se në njoftimin fillestar në platformën zyrtare, Real Madridi pretendoi se i tërë ekipi kishte veshur bluzat e fushatës, pa bërë asnjë aludim për gjestin e tre lojtarëve.
Sidoqoftë, e përditshmja spanjolle “El Mundo” shkruan se administrata e klubit kryeqytetas preferoi t’i qëndronte në krah futbollistëve dhe të mos krijonte tensione shtesë mbi ta.
Në mënyrë jozyrtare, thuhet se Madridi e ka justifikuar këtë vendim duke theksuar se brenda garderobës ekzistojnë “pikëpamje, ndjeshmëri dhe mënyra të ndryshme të perceptimit të realitetit”.
