Xhiroja e gjashtë në Superligën e Kosovës është përmbyllur me përballje që sollën shumë gola, por edhe me ndeshje ku rrjetat mbetën të paprekura.
Të lidhura
None found
Prishtina e zgjati ecurinë fituese duke e mposhtur Feronikelin ’74 me shifrat 3-0. Malisheva, ndërkaq, shkëlqeu si mysafire dhe triumfoi 4-0 kundër Llapit.
Edhe Drenica siguroi fitore 3-0, duke kaluar Vushtrrinë. Pa fitues dhe pa gola u mbyll derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, 0-0, ndërsa i njëjti rezultat u regjistrua edhe në duelin Ballkani-Dukagjini.
Pas këtyre takimeve, Telegrafi ka përzgjedhur formacionin më të mirë të javës së gjashtë, të rreshtuar në skemën 3-4-3.
Arijon Ymeri i Drenicës është zgjedhur për portën. Ai bëri një paraqitje të nivelit të lartë dhe e ruajti avantazhin e ekipit të tij gjatë periudhës kur Vushtrria po përpiqej të kthehej në lojë. Ymeri vazhdoi me ndërhyrje të mëdha edhe pasi Drenica realizoi golin e dytë, duke mos lejuar që sfida të bëhej sërish e hapur.
Reparti defensiv nis me Hajdin Salihin e Dritës. Ndonëse u ndëshkua me karton të verdhë që në minutat e para, ai i përmbushi detyrat e tij pothuajse në mënyrë të përkryer.
Në këtë repart përfshihet edhe Egzon Sinani i Dukagjinit, i cili u dallua me një paraqitje të jashtëzakonshme dhe neutralizoi thuajse çdo aksion që mund të sillte rrezik nga kundërshtari.
Mbrojtja me tre lojtarë kompletohet nga Anio Poci i Prishtinës. Ai po përshtatet gjithnjë e më mirë dhe nga java në javë po regjistron paraqitje të mëdha. Poci ishte pothuajse i pagabueshëm në prapavijë edhe përballë Feronikelit ’74.
Në mesfushë është përzgjedhur Altin Vojvoda i Drenicës, i cili po kalon një sezon pozitiv. Kundër Vushtrrisë, ai zhbllokoi rezultatin dhe përbëri kërcënim të vazhdueshëm për portën vushtrriase.
Lorik Boshnjaku ishte shtylla e Gjilanit në derbin me Dritën. Ai doli fitues në pothuajse të gjitha duelet dhe kontribuoi që skuadra e tij ta zhvendoste lojën përpara.
Krahas tij renditet Arijanit Fazlija i Prishtinës, protagonist ndaj Feronikelit ’74 me një gol dhe një asistim. Paraqitjet e tij në këtë fillim sezoni dëshmojnë se po kalon një formë të shkëlqyer.
Pozita në krahun e majtë i takon Omer Bajraktarit të Malishevës. Me depërtimet dhe rolin udhëheqës në ndërtimin e aksioneve, ai ishte i pandalshëm. Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, thuajse të gjitha sulmet e rrezikshme të Malishevës ndaj Llapit u zhvilluan përmes krahut të tij.
Xhemajl Ibishi i Malishevës zë një nga vendet në repartin ofensiv. Me një gol dhe një asistim, ai u shndërrua në një problem që mbrojtja llapjane nuk arriti ta zgjidhte.
Në qendër të sulmit është Donat Mehmeti i Drenicës, i cili bëri një paraqitje të fuqishme kundër Vushtrrisë. Në kohën kur epërsia ishte ende minimale, Mehmeti e krijoi vetë golin, fillimisht duke ia rrëmbyer topin kundërshtarit dhe më pas duke mposhtur portierin.
Assane Diatta i Prishtinës mbyll treshen sulmuese. Futbollisti më në formë i skuadrës kryeqytetase realizoi dy herë ndaj Feronikelit ’74 dhe po vazhdon të jetë ndër lojtarët më të spikatur të këtij fillimsezoni.
Për trajner të javës është përzgjedhur Orges Shehi i Prishtinës. Nën drejtimin e tij, ekipi ka arritur fitoren e pestë në po aq ndeshje. Kryeqytetasit shfaqën nivel të lartë kundër Feronikelit ’74, ndërsa edhe ndërhyrjet e Shehit përmes zëvendësimeve po japin rezultat.
Ndryshimet në formacion nuk kanë ndikuar në rendimentin e Prishtinës. Skuadra vazhdon të prodhojë shumë raste dhe gjatë këtij sezoni po shfaq efikasitet më të madh përpara portës.
