Çmimet e karburanteve në tregun me pakicë janë rritur sërish që prej fundjavës, me 10 deri në 14 lekë për litër krahasuar me nivelet e mëparshme.
Nafta po shitet me 229 lekë për litër, pra 10 lekë më shumë, ndërsa çmimi i benzinës ka arritur në 219 lekë për litër, me një rritje prej 14 lekësh.
Të lidhura
None found
Këto nivele përbëjnë rekorde të reja, ndërkohë që Shqipëria nuk ka marrë masa shtesë për të zbutur ndikimin e rritjes te konsumatorët dhe bizneset. Ndryshe nga disa vende të rajonit, ku janë miratuar masa për reduktimin e akcizës, në vendin tonë nuk është ndërmarrë asnjë nismë e re dhe nuk është më në fuqi as Akti Normativ që parashikonte një ulje të kufizuar të kësaj takse.
Më 3 prill, qeveria miratoi Aktin Normativ që parashikonte uljen me 20% të akcizës në rast se çmimi me pakicë i naftës kalonte 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.
Ministria e Financave i shpjegoi Monitor se zbatimi i kësaj uljeje varej nga funksionimi dhe vendimmarrja e Bordit. Pas stabilizimit të çmimeve për disa javë, Bordi i Transparencës nuk funksionon më.
Edhe gjatë periudhës kur Akti Normativ ishte në fuqi, përdorimi i masës fiskale ishte i kufizuar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më herët në një seancë plenare se ulja ishte aplikuar vetëm dy herë, me një efekt financiar prej 37 milionë lekësh, ose rreth 350 mijë euro.
Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon, kryesisht për shkak të barrës fiskale, e cila zë rreth 50% të çmimit, si dhe mungesës së ndërhyrjeve të reja. Sipas një analize të Monitor, pak ditë më parë nafta në Shqipëri ishte 30% më e shtrenjtë se mesatarja rajonale.
Në vendet e rajonit, mbi çmimin bazë të karburantit aplikohen vetëm akciza dhe TVSH-ja. Në disa prej tyre, akciza është 2% më e ulët. Në Maqedoninë e Veriut, TVSH-ja për naftën dhe benzinën është 18%, por gjatë periudhës së rritjes së çmimeve ajo u reduktua në 10%.
Në Kosovë aplikohet një normë TVSH-je prej 18%.
TVSH-ja në Malin e Zi është 21%, por nafta ngarkohet vetëm me dy taksa, TVSH dhe akcizë. Kjo e fundit është përgjysmuar së fundmi si masë për amortizimin e rritjes së çmimeve.
Në Serbi, TVSH-ja është 20%, ndërsa para nisjes së luftës akciza arrinte në 59.5 lekë për litër. Pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, Serbia e uli akcizën me 25%, ndërsa kjo masë u riaktivizua edhe disa javë më parë.
Përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20%, në Shqipëri çmimit të naftës i shtohen edhe dy taksa të tjera që nuk aplikohen në vendet e rajonit: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.
Rritja e naftës në 229 lekë për litër dhe e benzinës në 219 lekë për litër shton presionin mbi kostot e transportit, prodhimit dhe shërbimeve, duke krijuar efekte zinxhir në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.
Mbetet e paqartë nëse mekanizmi për uljen e akcizës do të rikthehet në përdorim apo nëse qeveria do të miratojë masa të tjera për të lehtësuar barrën e karburanteve për konsumatorët shqiptarë.
