Një raport i një shërbimi shëndetësor francez evidenton mavijosje, fraktura dhe dëmtime fizike e psikologjike te azilkërkuesit e rikthyer nga Mbretëria e Bashkuar në Francë, përmes skemës së debatueshme “një brenda, një jashtë”.
Të lidhura
None found
Samusocial de Paris ka analizuar rastet e 90 personave të kthyer në Francë nga 22 janari deri më 7 qershorit 2026. Dokumenti tregon se disa prej tyre kishin shenja që përputheshin me dhunë fizike dhe psikologjike, ndërsa të tjerë kishin nevojë për ndërhyrje spitalore ose trajtim psikiatrik.
Sipas “The Guardian”, të gjithë personat e përfshirë në raport janë burra të rinj, kryesisht në të 20-at ose në fillim të të 30-ave. Ata vijnë nga shtete të prekura nga konfliktet dhe përndjekjet, mes tyre Eritrea, Sudani dhe Afganistani.
Marrëveshja “një brenda, një jashtë” parashikon kthimin në Francë të një azilkërkuesi që ka kaluar Kanalin Anglez me një varkë të vogël, ndërsa një tjetër person në Francë mund të dërgohet ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar për të paraqitur kërkesë për azil. Kjo skemë pilot pritet të mbyllet më 1 tetor.
Autoritetet shëndetësore të rajonit Île-de-France i kanë ngarkuar Samusocial de Paris që t’u ofrojë ndihmë mjekësore personave të kthyer nga Britania gjatë tetë ditëve të para pas deportimit, periudhë gjatë së cilës ata akomodohen në një qendër strehimi në Paris.
Raporti përshkruan shenja të pajtueshme me dhunë fizike e psikologjike, si edhe pasoja të lidhura me paraburgimin e zgjatur dhe kushtet që cilësohen degraduese.
Një prej azilkërkuesve u dërgua në urgjencë për shkak të gjendjes së rënduar. Në dokumentet mjekësore përmenden mavijosje të shumta, dëmtime që lidhen me shtrëngimin e prangave dhe dhimbje në bark, të cilat ai deklaroi se i ishin shkaktuar nga goditje të vazhdueshme.
Dokumenti përmban në total 13 raste të shqyrtuara në mënyrë të hollësishme. Në to përfshihen dëmtime trupore, probleme shëndetësore që ishin rënduar për shkak të mungesës së trajtimit gjatë ndalimit në Britani, si dhe çrregullime të shëndetit mendor.
Një tjetër person u dërgua për trajtim urgjent psikiatrik pasi ishte shfaqur i çorientuar dhe nuk arrinte të gjente rrugën drejt konviktit ku ishte akomoduar.
Samusocial de Paris shprehet se pas mbërritjes në Francë, këta persona kanë mundësi të kufizuara për të marrë trajtim psikiatrik të vazhdueshëm.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme britanike tregojnë se rreth 1,400 persona janë kthyer me forcë në Francë që prej nisjes së skemës në gusht 2025. Pas kthimit, disa prej tyre janë përpjekur të hyjnë sërish në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur kamionë ose varka të vogla.
Gjetjet e shërbimit shëndetësor francez i janë dorëzuar hetimit ndërpartiak të Asamblesë Kombëtare franceze, i cili po shqyrton pasojat e marrëveshjeve kufitare mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohura si marrëveshjet Le Touquet.
Samusocial de Paris propozon ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për regjistrimin dhe përcjelljen te autoritetet britanike të pretendimeve për keqtrajtim. Në raport kërkohet gjithashtu që çështja t’i dërgohet prokurorit francez, bazuar në nenin 40 të Kodit francez të Procedurës Penale.
