Platforma “Liria ka emër” u ka shprehur mirënjohje qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrjen e gjerë në “Marshin për Liri”, i cili u zhvillua më 12 shtator në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që po përballen me gjykim në Hagë.
Të lidhura
None found
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, tha se marshi ishte organizuar në mënyrë dinjitoze dhe madhështore.
“Mesazhi ishte i qartë, si në fotografi ashtu edhe në përmbajtje: Populli i Kosovës i shpalli çlirimtarët plotësisht të pafajshëm”, deklaroi Hoxha.
Ajo falënderoi institucionet e sigurisë për bashkëpunimin, ndërsa mirënjohje shprehu edhe për kompanitë dhe të gjithë personat që kontribuuan në realizimin e marshit.
Hoxha vlerësoi gjithashtu komunat për organizimin e “Orëve të Pritjes”, si dhe qytetarët e organizatat që, në mënyrë vullnetare, i vendosën këto aktivitete në kuadër të programit para marshit.
Një falënderim të veçantë ajo ua adresoi organizatave të dala nga lufta dhe veteranëve të UÇK-së, të cilët zhvilluan aktivitete të përbashkëta në shtatë Zonat Operative nën moton “Zjarret e Lirisë”.
Mbështetjen e vazhdueshme për marshin dhe aktivitetet e platformës e kanë dhënë edhe bashkësitë fetare, grupet kulturore e sportive, komunitetet joshumicë, partitë politike dhe bizneset, bëri të ditur platforma “Liria ka emër”.
Gjatë ditës së sotme, platforma mori pjesë në konferencën “Lufta për UÇK-në”. Në këtë veprimtari, akademikë, përfaqësues të universiteteve dhe të shoqërisë civile diskutuan për kujtesën kolektive, historiografinë, mënyrën e rrëfimit të luftës dhe riinterpretimet që po dalin nga proceset juridike.
Prej 15 shtatorit, aktivitetet e “Liria ka emër” do të zhvillohen në Hagë, ku platforma, së bashku me diasporën shqiptare, do të organizojë “Natën e Pritjes”.
Ndërkaq, më 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, platforma shpreson që kjo datë të shndërrohet në një ditë feste për Kosovën.
Eliza Hoxha e mbylli konferencën duke falënderuar mediat për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë gjatë rrugëtimit gjashtëvjeçar të platformës “Liria ka emër”.
“Faleminderit për bashkërrugëtimin dhe mbështetjen tuaj tash e gjashtë vjet”, përfundoi Hoxha.
