Malisheva ka marrë një fitore të thellë në transfertë përballë Llapit, duke e mposhtur 4-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Superligës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Pas këtij rezultati, skuadra nga Malisheva është ngjitur në vendin e dytë të renditjes me 13 pikë, vetëm dy pikë larg Prishtinës kryesuese. Llapi, ndërkohë, vijon sezonin e vështirë dhe pozicionohet i teti me 3 pikë pas gjashtë xhirove.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 41-të, kur Vüsal İsgändärli shënoi për 1-0. Fillimisht, realizimi u anulua, por pas ndërhyrjes së VAR-it u konfirmua dhe Malisheva shkoi në pushim në avantazh.
Mysafirët e ruajtën kontrollin e lojës edhe pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes. Në minutën e 57-të, pas një ndërhyrjeje të shqyrtuar nga VAR, Malisheva fitoi penallti. Xhemal Ibishi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke dyfishuar epërsinë.
Vetëm tri minuta më vonë, Lorent Talla realizoi golin e tretë të Malishevës. Goli i tij në minutën e 60-të e çoi rezultatin në 3-0 dhe e vështirësoi edhe më shumë çdo përpjekje të Llapit për t’u rikthyer në ndeshje.
Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 84-të. Mark Bushaj shënoi për 4-0, duke kompletuar fitoren bindëse dhe paraqitjen dominuese të Malishevës.
