Konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe krijimi i Qeverisë së re, të realizuara dje, i dhanë fund një periudhe të gjatë pasigurie dhe bllokimi institucional.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ankesa e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese mund të rikthejë pikëpyetjet mbi legjitimitetin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas ish-deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, krijimi i institucioneve të reja nuk nënkupton përfundimin e krizës. Ai paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund t’i zhvlerësojë Kuvendin dhe Qeverinë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Salihaj tha se, në një situatë normale, konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë do të konsideroheshin përmbyllje e procesit zgjedhor. Por, sipas tij, në rrethanat aktuale këto zhvillime mund të jenë vetëm hapi i parë drejt një dështimi të ri institucional.
Ai kritikoi klasën politike, duke e akuzuar se është e përfshirë në përplasje të nxitura nga inate primitive dhe interesa meskine. Salihaj paralajmëroi se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje, të cilat do të ishin të katërtat brenda dy vjetësh, ndërsa shprehu frikën se as ky cikël mund të mos jetë i fundit.
Sipas tij, vendi vazhdon të mbetet i bllokuar në një rreth vicioz dhe ndodhet pranë dështimit si shtet. Ai vlerësoi se Kosova po dëshmon vazhdimisht para botës se konfliktet politike mund të çojnë deri në shkatërrimin e institucioneve shtetërore.
Ish-deputeti i LDK-së theksoi gjithashtu se personat që dëmtojnë dhe rrënojnë institucionet nuk mund të konsiderohen përfaqësues të qytetarëve.
Salihaj përmendi sakrificat e dhjetëra mijëra shqiptarëve të brezave të kaluar, dhunimin e mijëra grave, motrave dhe nënave, si dhe vrasjet e masakrat ndaj grave, të moshuarve dhe fëmijëve. Ai tha se ata që nuk kanë ndjeshmëri ndaj kësaj historie nuk duhet të kenë rol në shtet dhe nuk meritojnë të legjitimohen përmes votës apo të delegohen në institucione.
“Ata që i shkatërrojnë institucionet e shtetit nuk mund të jenë përfaqësuesit tanë”, përfundoi Salihaj.
