Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për mediat pas rikthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën Republikane për zgjedhjet e mesmandatit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te vizita në SHBA, duke e lidhur atë me udhëtimin e parë që kishte zhvilluar në këtë vend 35 vite më parë. Ai veçoi disa ngjashmëri mes dy vizitave dhe shpjegoi mesazhet politike që përcolli këtë herë.
Të lidhura
None found
Berisha e cilësoi konventën republikane si një prej aktiviteteve më të bukura të organizuara në SHBA. Në delegacionin e IDU-së, së bashku me kryetarin e PR-së, morën pjesë edhe sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare, sekretari organizativ, nënkryetari i partisë dhe kryetarja e LDG-së.
Sipas tij, madhështia e kësaj konvente nuk kufizohet vetëm te SHBA-ja, pasi dy partitë e mëdha amerikane, veçanërisht Partia Republikane që ndodhet në pushtet, nuk kanë rivalë në planet për fantazinë dhe organizimin elektoral të konventave.
Berisha tha se, pavarësisht distancës prej 35 vitesh, apo siç u shpreh ai, vite drite larg njëri-tjetrit, udhëtimi i fundit kishte tri pika të përbashkëta me vizitën e tij të parë.
“Në të dyja rastet shkova në SHBA si kryetar i opozitës ose i forcës më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai shtoi se edhe atëherë, edhe tani, synimi kryesor ishte kërkimi i mbështetjes nga administrata amerikane dhe diaspora shqiptare.
Në vizitën e parë, sipas tij, kjo mbështetje kërkohej për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, ndërsa sot për përballjen me një diktaturë autoritare të mbështetur te droga, krimi dhe vjedhja e shqiptarëve.
Berisha solli në vëmendje edhe udhëtimin e tij të parë në SHBA, kur së bashku me mikun e ndjerë, Gramoz Pashko, mori pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ai kujtoi se në atë kohë thashethemet dhe i gjithë establishmenti u kthyen kundër tij dhe Gramoz Pashkos, duke i akuzuar me epitete që lidhen me tradhtinë dhe agjenturën.
Sipas Berishës, edhe kësaj radhe sulmet nuk kanë munguar dhe, për shkak të numrit të madh të mediave në “Makondën e Kolonel Buendias”, kanë qenë edhe më të shumta.
