Ngordhje peshqish janë evidentuar në lumin Treska, në rajonin e Kërçovës. Shoqata e Peshkimit Sportiv “Hunter Fish” e bëri të ditur rastin mbrëmë dhe kërkoi ndërhyrje të shpejtë nga institucionet përgjegjëse.
Të lidhura
None found
Shkaku i kësaj ngjarjeje nuk është përcaktuar ende. Për këtë arsye, shoqata kërkon mbledhjen urgjente të mostrave të ujit dhe të peshqve të ngordhur, si dhe kryerjen e analizave laboratorike.
“Hunter Fish” vlerëson se duhet të shqyrtohen të gjitha mundësitë, përfshirë ndotjen apo ndërhyrje të tjera që mund të kenë dëmtuar botën e gjallë të lumit.
“Çdo ndotje, helmim ose ndërhyrje tjetër që kërcënon jetën në lumë duhet të hetohet plotësisht dhe të përcaktohet shkaku dhe përgjegjësia”, deklarojnë nga shoqata.
Institucioneve kompetente u bëhet thirrje të ndërmarrin masa për mbrojtjen e lumit Treska, me qëllim shmangien e rasteve të ngjashme në të ardhmen./Telegrafi/
