Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes, përkujtoi sulmet mbi Kullat Binjake në 25-vjetorin e 11 shtatorit, ngjarje në të cilën humbën jetën shumë qytetarë amerikanë.
Të lidhura
None found
Sipas Haxhiut, mëngjesi i 11 shtatorit të 25 viteve më parë mbeti përgjithmonë si momenti që e ndau kohën në periudhën para dhe pas kësaj date.
Ajo tha se 11 shtatori, ashtu siç përshkruhet edhe në fillim të raportit të Komisionit Hetimor Amerikan për këtë ngjarje, nisi si një mëngjes krejtësisht i zakonshëm. Miliona njerëz po përgatiteshin për të shkuar në punë; disa u drejtuan për në Kullat Binjake në New York, të tjerë në Pentagon, ndërsa vizitorët po prisnin në radhë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kohë, presidenti George ë.Bush kishte dalë për vrapin e mëngjesit.
Në orën 08:46, aeroplani i parë goditi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në Kosovë ora shënonte 14:46 dhe, vetëm dy minuta më pas, televizionet nisën të transmetonin pamjet e kullave të përfshira nga flakët. Ndërsa transmetimi vazhdonte drejtpërdrejt, në orën 09:03 sipas kohës së New Yorkut, aeroplani i dytë u përplas në kullën jugore.
Haxhiu theksoi se njerëzit, nga New Yorku deri në Prishtinë, qëndruan para ekraneve duke ndjekur të njëjtën tragjedi. Mëngjesi amerikan, i cili kishte filluar me qiell të kthjellët dhe me qytetarët që shkonin në punë, brenda pak minutash u shndërrua në mëngjesin që përcaktoi kohën para dhe pas 11 shtatorit.
Ajo solli në kujtesë edhe reagimin e menjëhershëm të qytetarëve të Kosovës, të cilët shprehën mbështetjen për popullin amerikan në forma të ndryshme, përfshirë paraqitjen vullnetare për të dhuruar gjak.
Sipas saj, ndonëse sulmet e 11 shtatorit kishin në shënjestër SHBA-në, dhimbja i kapërceu menjëherë kufijtë amerikanë. Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Republikës së Kosovës, qytetarët dolën për të treguar solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, organizuan tubime dhe marshe, si dhe u paraqitën për dhurim gjaku. Rrugët u mbushën me njerëz që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta me mbishkrimin: “Amerikë, jemi me ty”.
