Ish-presidenti “zikaltër” i lumtur që dueli Juventus – Inter është shtyrë

Ish presidenti i Interit, Massimo Moratti, shprehet i lumtur që sfida mes Juventusit dhe Interit është shtyrë për në 13 maj pasi at here do të jetë si një finale mes dy ekipeve.

Përballja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit, si dhe ndeshjet Udinese-Fiorentina, Milan-Genoa, Parma-SPAL dhe Sassuolo-Brescia – janë shtyrë për 13 maj, shkaku i koronavirusit.

Fillimisht, 13 maji ishte caktuar si data e finales për Kupën e Italisë, megjithatë ajo ndeshje tani është zhvendosur për t’u zhvilluar më 20 maj, transmeton Gazeta Express.

Të gjitha këto ndeshje ishte planifikuar të zhvilloheshin prapa dyerve të mbyllura këtë fundjavë për shkak të përhapjes së koronavirusit në pjesën veriore të Italisë.

Kjo ishte data e vetme në dispozicion, pasi që Juventusi dhe Interi janë në gjysmëfinale të Kupës të Italisë dhe në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Inter – Sampdoria duhet gjithashtu të caktohet për një datë të tjetër pasi që ndeshja e xhiros së kaluar gjithashtu ishte shtyrë. Nëse Interi e arrin finalen e Kupës së Italisë dhe finalen e Ligës së Evropës, Federata italiane do ta ketë problem ta caktojë një datë për këtë ndeshje, pasi që verës nuk mund ta shtyjë sezonin shkaku i Kampionatit Evropian.

“Çfarë kampanje fantastike, tani ne shpresojmë që 13 maji do të jetë finalja e kampionatit”, ka thënë Moratti, në një intervistë të dhënë në Radio Deejay.

“Megjithatë, është e mrekullueshme që ata thjesht i shtynë të gjitha. Është e drejtë të mos tregohesh i prapambetur dhe t’i ngadalësosh aktivitetet sportive për të mirë të shëndetit publik”.

Klubet nuk dëshironin t’i humbnin përfitimet nga disa ndeshje të mëdha, veçanërisht pesë milionë eurot që Juventusi pritej t’i fitojë nga përballja me Interin në Allianz të dielën.

Klubet vendase gjithashtu nuk dëshironin që ta humbnin epërsinë e të qenët vendas duke mos e pasur mbështetjen e tifozëve në stadium. Për këto arsye, tani ndeshjet janë zhvendosur më 13 maj.


Shtuar 29.02.2020 15:18