Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur vendimin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Të lidhura
None found
Sveçla nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë leximit të vendimit.
Vendimi ishte shpallur më 2 shtator 2026, kur Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte gjetur fajtor Sveçlën për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.
Sipas konstatimeve të gjykatës, ai kishte aktivizuar dhe hedhur një bombolë me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, çka bëri të pamundur vijimin e seancës.
Ngjarja kishte ndodhur më 21 mars 2018, gjatë seancës ku Kuvendi i Kosovës po shqyrtonte ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Hedhja e gazit shkaktoi ndërprerjen e mbledhjes dhe largimin e deputetëve nga salla.
Seanca gjyqësore për këtë çështje ishte paraparë të mbahej në orën 09:00 në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë. Gjykatësi Sabit Sadikaj kishte vlerësuar se Sveçla ishte personi që e aktivizoi dhe e hodhi bombolën e gazit lotsjellës.
Përveç kësaj vepre, Sveçla akuzohej edhe për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Për këtë akuzë, gjykata ka dhënë aktgjykim refuzues, pasi ndjekja penale ishte parashkruar.
