Zbardhet dosja amerikane për agjentin e FBI: Një biznesmen e politikan shqiptar i kërkoi të hetohej një komplot për vrasjen e tij

Një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë, shkruan BW.

I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë.

Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.

Në akuzën e ngritur në Uashington flitet edhe për takimin e McGonigal me një biznesmen dhe politikan shqiptar.

“Në shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u prezantua nga Personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i tha të pandehurit McGonigal se donte që dikush të hetonte një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin shqiptar”, thuhet në pikën e 23 të akuzës së ngritur në Uashington.

Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”


Shtuar 24.01.2023 15:27