Xavi fiton trofeun e parë në Katar, mposht ekipin e dyshes Benatia-Mandzukic (VIDEO)

Al-Sadd dhe Xavi Hernandez u kurorëzuan kampionë të Kupës së Katarit ditën e sotme, pasi mundën në finale rivalët e Al-Duhail.

Një fitore spektakolare për ekipin e Xavit, që shkatërroi ekipin e Benatia dhe Mandzukic me shifrat 4-0.

Al-Sadd zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë, pasi shënoi tre herë. Fillimisht, ishte koreano-jugori Nam-Tae-Hee, ndërsa më pas shënoi dy herë goleadori algjerian Bounedjah. Në pjesën e dytë pati vend edhe për një gol nga fantazisti Akram Afif, i cili shënoi nga pika e bardhë.

Kështu, Xavi përmbush një ndër objektivat kryesorë të këtij sezoni. Ajo që vlen për t’u përmendur është edhe fakti që finalja e Kupës ishte një nga arsyet pse ish-mesfushori refuzoi të merrte drejtimin e Barcelonës tani.

Xavi është mjaft i lidhur me lojtarët e Al-Sadd dhe nuk mund t’i linte në mes të sezonit, aq më tepër dhe me një finale për të luajtur, ndaj rivalëve kryesorë në Katar.


Shtuar 17.01.2020 20:58