Skuadra e Liverpulit ka regjistruar sot humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit dhe kjo i ka kushtuar shumë shtrenjtë ekipit të Jurgen Klop, pasi e ka larguar nga Kupa e FA.
Skuadra që po dominonte kampionatin në Angli, u mposht në Ligën e Kampioneve nga Atletiko Madrid, më pas në kampionat nga Uotford e tani në Kupën FA nga Çelsi, që e mposhti me shifrat 2-0.
Në një ndeshje ku dy skuadrat nuk kishin kursyer shumë prej futbollistëve titullarë, Çelsi gjeti shpejt avantazhin me anë të Uillian duke mposhtur Adrian, ndërsa më pas ishte Kepa ai i cili bëri disa pritje të shkëlqyera për të ruajtur këtë avantazh ndaj skuadrës së Klop.
Lampard u detyrua të ndërronte shpejt dy titullarë si Kovaçiç e Uillian për dëmtime, por loja e skuadrës së tij vazhdoi të ishte shumë më e qartë se e ajo e Liverpulit, ndërsa gjeti edhe golin e dytë me Barklein. Të kuqtë u munduan të reagonin por në vend që të thumbonin para portës kundërshtare rrezikuan që të bënin diferencën edhe më të thellë mes dy ekipeve pasi linin shumë hapësira mbrapa.
Ndaj në fund ishte Çelsi që festoi fitoren 2-0 dhe kalimin në turin tjetër të Kupës FA, ndërsa Liverpuli duhet të mendojë seriozisht si të kthejë situatën në favorin e vet pasi rrezikon tashmë të mbyllë sezonin vetëm me titullin kampion.
