Fati nuk ishte me të, Robben debuton në mënyrën më të keqe të mundshme (VIDEO)

Arjen Roben i është rikthyer pas një viti pushim përsëri futbollit të luajtur.

Holandezi u largua në verën e vitit 2019 nga Bayern Munchen dhe qëndroi një vit jashtë fushave të lojës, para se të vendoste se ndjente ende dëshirën për të qenë protagonist në fushën e lojës.

Ndaj ai u kthye te Groningen, klubi ku kishte hedhur hapat e parë si futbollist, për të dhënë kontributin e tij.

Sot duhej të ishte dita e shkëlqimit të mesfushorit, pasi në javën e parë në Eredivisie luante në një ndeshje vërtetë për t’u shënuar, pasi kthehej në sfidën ndaj skuadrës që i dha famë, PSV Eindhoven.

Por ndeshja e tij zgjati vetëm 29 minuta, pasi Roben u detyrua të linte fushën si pasojë e një dëmtimi muskulor, një nga të shumtët që bënë që gjatë karrierës të merrte nofkën “njeriu prej qelqi” dhe nuk e lejuan që të shprehte në maksimum potencialin e tij, duke e kthyer shpesh në spektator për muaj të tërë.

Roben u largua i zhgënjyer nga fusha e lojës, në një kthim në futbollin holandez pas 16 vitesh që ai e kishte imagjinuar krejtësisht ndryshe e tani mbetet të mësohet se sa kohë do të qëndrojë si spektator.


Shtuar 13.09.2020 17:48