Az Alkmaar konfirmohet “mace e zezë” për Ajaxin e Amsterdamit. Në sfidën mes dy kryesuesve të Eredivisie, të zhvilluar në “Johan Cruijff Arena”, Alkmaari fitoi pastër 0-2, duke barazuar në krye të klasifikimit me 53 pikë pikërisht “harkëtarët”.
Edhe pse skuadra e drejtuar nga Ten Hag është mposhtur dy herë radhazi në këtë sezon nga Alkmaari (është mundur edhe në fazën e dytë të sezonit të kalur, pra tri herë radhazi), qëndron në krye pasi kriteri i parë për klasifikimin në kampionatin holandez (nëse dy skuadra janë me pikë të barabarta) është diferenca e golave të shënuar me ata të pësuar.
Sa i përket ndeshjes, Boadu e zhbllokoi takimin që në minutën e dytë, ndërsa goditjen tjetër të rëndë Ajaxi e mori në pjesën e dytë nga Idrissi.
Në garën për titullin e Eredivisie nuk përjashtohen as PSV Eindhoveni dhe Feyenoordi, që kanë respektivisht 47 dhe 46 pikë.