Vendimi në Britani/ Berisha: Procedura faktoi se nuk ka asnjë provë, vetëm turp dhe shpifje

– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sërish sot pas humbjes në Apel kundër ndalimit të hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2022. Berisha tha se Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Ankesave për Emigracionin, deklaron se ai nuk ka hetuar nëse ka akuzat ndaj Berishës janë të vërteta apo jo. Ai shtoi se procedura që ndoqi ka qenë jashtëzakonisht e çmuar për çdo shqiptar.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të të vërtetës, shpresës, besimit dhe të ardhmes së shqiptarëve. Ju përshëndes me mirënjohje të pakufishme. Përshëndes oratorët fjalëurtë të kësaj platforme. Të dashur miq, sot unë dhe çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar jeton me mund dhe djersën e tij, kanë arritur një fitore të vërtetë.

Sot ka dalë me të gjithë shëmtinë e vet para shqiptarëve, ia nxorën me të gjithë shëmtinë e vet para shqiptarëve, fytyrën e korrupsionit transnacional. Sot në betejën tonë kundër vjedhjes së shqiptarëve dhe korrupsionit, ne arritëm një fitore të padiskutueshme. Të dashur miq, pas përjashtimit siç e quajnë në gjuhën zyrtare anglezët të Sali Berishës nga hyrja në Britaninë e Madhe, unë vendosa të njëjtën gjë, të mos loboj, por të padis në gjykata për shpifje autorët e shpifjeve të ulëta.

Mirëpo ligji britanik nuk lejonte drejtimin në gjykatë pa kaluar ankesa në Komisionin e Posaçëm të Apelimit që shqyrton si komision vendimet e Home Office. Pra, një komision duhet të shqyrtonte ankesën dhe pas mendimit të tij, unë fitoja të drejtën t’i drejtohesha sistemit gjyqësor anglez. Sot, në vendimin e tij, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Ankesave për Emigracionin, deklaron se ai nuk ka hetuar nëse ka akuzat ndaj Berishës janë të vërteta apo jo.

Në paragrafin 17 të vendimit, ky komision deklaron se ai ka hetuar nëse Sekretarja e Shtetit i ka analizuar drejt provat para saj. Por edhe njëherë theksoj, se procedura që ndoqëm ka qenë jashtëzakonisht e çmuar, për secilin prej jush, për çdo shqiptar. Kjo procedurë faktoi se për Sali Berishën, për vendimin ndaj tij, nuk ka asnjë provë, asnjë të vërtetë, asnjë fakt, vetëm turp, vetëm shpifje, vetëm trillime. Kjo tregoi se vendimi ndaj Sali Berishës është vepër e korrupsionit shqiptaro-britanik transnacional.


Shtuar 17.06.2024 20:49

Tags: