Teuta “zhyt” në krizë Kukësin dhe merr kreun e klasifikimit (VIDEO)

Teuta rikthehet te fitorja, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 0-2 ndaj Kukësit në “Elbasan Arena” dhe të rimarrë kryesimin e renditjes në Kategorinë Superiore, me 55 pikë.

Sfida nisi me një kërcënim të verilindorëve, që pas një goditjeje nga këndi, provuan të gjejnë golin me anë të Eze, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi kuadrat.

Më pas lojën e morën nën kontroll durrsakët, që zhbllokuan ndeshjen në minutën e 11′ me një gol mjaft të bukur të Blerim Krasniqit. Sulmuesi mori një top mbi vijën e zonës, e stopoi mirë me gjoks dhe më pas lëshoi një të majtë precize, duke mposhtur gardianin e verilindorëve, Tafas.

Ky i fundit u bë protagonist në minutën e 23’të, pasi ndali dy tentativa radhazi të bregdetarëve, fillimisht gjuajtjen e Asion Dajës dhe më pas atë të Lorenzo Vilës, duke mbajtur në lojë Kukësin.

Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për Teutën, teksa Krasniqi në minutën e 50′ pati në këmbë edhe topin për të shënuar golin e dytë, por gjuajti keq dhe shpërdoroi. Gjithsesi goli i dytë ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 67′ me anë të mbrojtësit Rustem Hoxha.

Bregu ekzekutoi saktë një goditje dënimi, duke e dërguar topin te Lorenzo Vila, i cili uli bukur për Hoxhën dhe qendërmbrojtësi u tregua i saktë, duke tundur për herë të dytë rrjetën e verilindorëve.

Deri në vërshëllimën finale ndeshja u zhvillua e qetë dhe durrsakët administruan suksesin, ndërsa Kukësi duket se u pajtua shpejt me rezultatin, pasi tashmë ka dalë nga të gjithë objektivat sezonalë.


Shtuar 28.04.2021 18:00

Tags: ,