ZYRTARE/ Jonuz konfirmon largimin, Vllaznia në kërkim të një trajneri të ri

Vllaznia e rinisi mbarë kampionatin, pasi fitoi 3-1 në transfertë me Flamurtarin, në sfidën e vlefshme për javën e 27-të të Superiores.

Por, pas ndeshjes në Vlorë, nuk ka kohë për festë.

Trajneri Mirsad Jonuz pas sfidës me vlonjatët është larguar për në Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë fund aventurës në Shkodër.

Largimin e konfirmon vetë tekniku, i cili për “Panorama Sport” sqaroi: “Më vjen keq që u mbyll kështu, por ishte e pamundur të vazhdoja. Ndihesha shumë i lodhur. Problemet nuk kishin të mbaruar dhe situata nuk më dukej më e volitshme për të vazhduar punën. Nuk ishte vetëm çështje rrogash. Ka edhe probleme të tjera. Unë kam njoftuar zyrtarisht klubin se më ka përfunduar kontrata më 31 maj. Pas ndeshjes me Flamurtarin, ku ne fituam me rezultatin 3-1 vendosa që të largohem. Kam bërë më të mirën time aty dhe shpresoj të jenë të kënaqur me punën time, por nuk mundesha më. Sinqerisht nuk mundesha më”.

Ndeshjen e ardhshme kuqeblutë do ta luajnë në transfertë me Laçin, teksa u duhet të gjejnë tekniku e ri sa më shpejt.


Shtuar 5.06.2020 18:00