Zbulohet arsyeja e largimit të Sturridge nga Trabzonspor, shkak bëhen bastet sportive

Trabzonspor ditën e sotme njoftoi se klubi ka arritur dakordësinë për ndërprerjen e kontratës me Daniel Starrixh, pas vetëm shtatë muajsh.

Sulmuesi verën e shkuar la Liverpulin, ku nuk kishte hapësira dhe vendosi të kalojë te ekipi kryesues i kampionatit turk, duke firmosur kontratë për tre 3 vite.

Lajmi i papritur i largimit të tij hodhi disa hije dyshimi dhe i bëri mediet të hulumtojnë rreth këtij largimi jo dhe aq normal, pasi paraqitja e Starrixh te Trabzonspor nuk ishte në nivelet që të merrej një vendim kaq drastik. Ai shënoi 7 gola në 16 ndeshje me turqit dhe ndihmoi jo pak në skuadrën, ku aktivizohet edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Ekuban. Tashmë është zbardhur gjithçka dhe mediet angleze raportojnë se Starrixh është dënuar me pezullim nga aktivitetet sportive deri në muajin qershor dhe është gjobitur me 150 mijë paund.

Këto pasoja për ish-lojtarin e Liverpul vijnë pasi Shoqata Angleze e Futbollit kishte apeluar një vendim të mëparshëm ndaj Starrixh, ku akuzoj për pjesëmarrje në baste sportive dhe ishte dënuar me dy javë pezullim dhe 75 mijë paund gjobë. Tashmë Gjykata e Apelit ka vendosur ta shtojë ndjeshëm dënimin e sulmuesit dhe ky vendim ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërprerjen e kontratës me Trabzonsporin.


Shtuar 2.03.2020 17:19