Zanetti i kthen përgjigje Barcelonës për Lautaro Martinez

Në fushën e lojës ishte korrekt dhe rrallëherë bënte ndërhyrje të ashpra, por kur bëhet fjalë për të mbrojtur interesat e Interit, Havier Zaneti nuk mendohet dy herë. Kështu bën në deklaratën e ditës së sotme ku i ka bërë një “sparkatë” Barcelonës duke ia vështirësuar rrugën për të transferuar Lautaro Martinezin.

Zëvendëspresidenti i zikaltërve thotë se “El Toro” është një pikë referimi për skuadrën dhe skuadra nuk ka asnjë qëllim për ta larguar sulmuesin. “Më vjen mirë dhe kam kënaqësi të flas për Lautaro Martinezin sepse e kam ndjekur prej vitesh. Ai ishte lojtari më premtues i futbollit argjentinas. Fola me Diego Militon dhe vendosëm se Lautaro kishte një vlerë të jashtëzakonshme.

Tani është një pikë referimi për Interin, për kombëtaren dhe është vetëm 22 vjeç. E shoh të lumtur kur stërvitet dhe kur luan. Shpresoj që të qëndrojë akoma për shumë kohë tek Interi”, ka thënë legjenda e Interit. Ai foli gjithashtu edhe për mundësinë e rikthimit në fushën e lojës për vazhdimin e kampionateve.

“Është e vështirë ta mendosh këtë gjë. Duhet të qëndrojmë edhe për shumë ditë të mbyllur në shtëpi. Shëndeti ka më shumë rëndësi se gjithçka”, përfundoi ish-kapiteni.


Shtuar 2.04.2020 17:17