Werderi i Rashicës drejt Bundesligës 2, shkatërrohet nga Leverkusen (VIDEO)

Bayer Leverkuseni i shtron rrugën drejt Bundesligës 2 Werder Bremenit të Milot Rashicës.

Në ndeshen përmbyllëse të javës së 26-të të elitës së futbollit gjerman, “Aspirinat” fituan 4-1 në fushën kundërshtare, duke e ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me Leipzigun e vendit të katërt, që me renditjen aktuale luan në Champions sezonin e ardhshëm.

Talenti i Leverkusenit, Havertz, zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, i shërbyer nga Diaby, por vetëm dy minuta më vonë Selassie ktheu baraspeshën në rezultat. Gëzimi i vendasve zgjati dy minuta, pasi Havertz realizoi të dytin personal, duke rikthyer epërsinë në favor të miqve.

Gjatë pjesës së dytë, “Aspirinat” e tundën edhe dy herë të tjera rrjetën me Wiser dhe Demirbay, për rezultatin përfundimtar 1-4.

Milot Rashica luajti titullar dhe qëndroi në fushë deri në minutën e 85-të, por pa mundur të lërë shenjë në këtë sfidë. Werder Bremeni me këtë humbje shton rrezikun e rënies nga kategoria, pasi mbetet në vendin e parafundit me pesë pikë më pak se Dusseldorfi.


Shtuar 18.05.2020 20:58