Toti për Pirlon: Nuk është normale që një fillestar të marrë një detyrë me kaq pritshmëri

Andrea Pirlos i është besuar një detyrë me shumë përgjegjësi teksa Juventusi vendosi ta emëronte si njeriun që do të drejtojë këtë sezon bardhezinjtë, pas shkarkimit të Mauricio Sarrit.

Ish-mesfushori, i cili po bëhej gati të niste aventurën si trajner i Juventusit U21, u gjend kështu papritur në ekipin e parë dhe me eksperiencën e parë në stol.

Së fundmi ai që ka shprehur mendimin e tij mbi sipërmarrjen e Pirlos është një ish-futbollist si Françesko Toti. Legjenda e Romës mendon se Juventusi gabon rrallë në përzgjedhje, por sipas tij do jetë e vështirë që një fillestar të marrë një detyrë me kaq pritshmëri.

“Pirlo është një person i artë, sinqerisht, shpresoj që ai t’ia dalë mbanë. Juventusi rrallë gabon në përzgjedhje. Por, nuk e prisja një hap kaq vendimtar, nuk është normale që një fillestar të marrë një detyrë me kaq pritshmëri. Andrea duhet të tregohet Pirlo, pra të konfirmohet një kampion edhe në stol. Dhe, do t’i duhet ta bëjë këtë menjëherë”, u shpreh Toti.


Shtuar 1.09.2020 15:29