Thumbimeve në distancë iu vjen fundi, Solskjaer-Mourinho sfidohen sot në fushë

Pas thumbimeve të shumta në distancë gjatë këtyre javëve më në fund është koha për t’u përballur në fushë. Natyrisht në tapetin e gjelbër janë futbollistët ata që zbresin, por sidoqoftë një arsye më shumë për të ndjekur sfidën Manchester United–Tottenham Hotspur është edhe dueli në distancë Mourinho–Solskjaer.

Në Old Trafford në orën 17:30 do të zbresin kështu dy skuadra që kanë një rivalitet vërtet shumë të ashpër ndërmjet tyre. Dikur ky ishte një takim që dominohej në mënyrë të padiskutueshme nga “djajtë e kuq”, madje në fillimin e mijëvjecarit nën drejtimin e trajnerit legjendar të klubit Alex Ferguson United shkoi deri në 27 ndeshje pa humbje, për më tepër në historinë e përballjeve ndërmjet tyre ka edhe përmbysje si ajo e vitit 2001, kur Tottenham-i i drejtuar nga i madhi Glen Hoddle shkoi në interval me epërsinë e tre golave, për të dalë në fund nga Stadiumi Ëhite Hart Lane me disfatën e rëndë 5-3. Dy ekipet paraqiten në “Teatrin e Ëndrrave” me humor të ndryshëm.

Pas rekuperimit të plot 14 pikëve ndaj Leicester City-t dhe vendit të tretë në edicionin e kaluar situata ka ndryshuar, e “red devils” kanë humbur sigurinë e mëparshme dhe presioni mbi shpatullat e idhullit të tifozerisë vendase Ole Gunnar Solskjaer është bërë sa një mal. 47-vjecari nordik është nervozuar, pasi sipas tij nevojiten akoma edhe shumë përforcime.

Dy klubet i lidh ngushtë emri i Jose Mourinho-s, për shkak të kohës kur trajneri luzitan drejtoi United. Për hir të së vërtetës Mourinho u shkarkua nga “djajtë e kuq” për shkak të diferencës prej 19 pikësh që u krijua pas disfatës 3-1 që pësoi United në Anfield në fundin e vitit 2018, megjithatë pavarësisht ecurisë pozitive të kuptueshme të fillimit, reagimit hakmarrës, krenarisë së sëmurë të futbollistëve të skuadrës apo dhe mbështetjes që drejtuesit i dhanë mesfushorit francez Paul Pogba, me një si Solskjaer në drejtim klubi e mbylli atë edicion me plot 31 pikë diferencë me Liverpulin, ndërsa sezonin e titullit të rivalëve të urryer nga Merseyside Manchester United e përfundoi kampionatin me 33 pikë më pak.

Gjërat janë të qarta, në dhjetorin e vitit 2016 Mourinho drejtoi United në fitoren 1-0 ndaj Tottenham-it me emra të tillë si Darmian, Phil Jones, Mkhitaryan, Rojo, Valencia, Fellaini dhe Carrick, pa harruar gjithashtu faktin që në stol ishin ulur futbollistë si Blind e Wayne Rooney, gjithsesi atë që ndodhi vetëm një sezon më vonë, duke e ndihmuar skuadrën që të klasifikohej në vendin e dytë në Premier League, pak a shumë me po të njëjtët lojtarë, Mourinho e konsideroi me të drejtë si një ndër arritjet e tij më të mëdha në karrierë.

Tani 57-vjecari nga Setubali ka rifituar qetësinë e humbur dhe gëzon mbështetjen e plotë të një njeriu të hekurt dhe tepër dorështrënguar sic është Daniel Levy. Bosi i klubit ka zgjidhur qesen e parave dhe këtë herë nuk është kursyer për t’i plotësuar dëshirat Jose-së, që në fakt nuk është se ka shpenzuar qimet e kokës për lojtarë shumë cilësorë si Hojbjerg, Doherty apo dhe Reguilon. Ekipi londinez ka fituar goxha besim pas një periudhe tepër të ngjeshur me plot 4 ndeshje në harkun e vetëm 8 ditëve. Të dy ekipet në mesjavë siguruan kualifikimin për në fazën cerekfinale të Kupës së Ligës, një kupë tepër e lakmuar për trajnerin portugez, që synon ta bëjë atë trofeun e parë të klubit londinez që nga viti i largët 2008. Duke lënë mënjanë polemikat mes dy trajnerëve për centimetrat e traversës apo dhe metrat e zonës sezonin e fundit Solskjaer e dërgoi ekipin e tij në tre gjysmëfinale, megjithatë për probleme të tmershme në përzgjedhje apo dhe zgjidhje të cuditshme taktike “djajtë e kuq” e përfunduan sezonin duarbosh, kështuqë në vitrinën e klubit trofetë e fundit vazhdojnë të mbeten ata që ka fituar pikërisht trajneri portugez. Dy sfidat e fundit janë vulosur nga 11-metërsha tepër të dyshimtë.

Në suksesin 2-1 në Old Trafford Paul Tierney ndëshkoi mesfushorin Mousa Sissoko për një ndërhyrje të parregullt ndaj sulmuesit Marcus Rashford, ndërsa në fazën e dytë kryesori Jonathan Moss vlerësoi si të parregullt ndërhyrjen e Eric Dier-it në dëm të francezit Paul Pogba dhe Bruno Fernandes barazoi shifrat nga pika e bardhë. Penalltitë në favor të United kanë nxitur debate të shumta në ishull. Në fakt “red devils” kanë përfituar plot 22 të tilla gjatë sezonit të kaluar në të gjithë kompeticionet, 14 prej tyre vetëm në Premiership, duke vendosur një rekord të ri në këtë aktivitet, megjithatë cereku i tyre si për shembull 11-metërshi i akorduar pikërisht nga Jonathan Moss në Villa Park në dëm të “villans” u konsiderua si ofendim për rregullat e këtij sporti.

Nëse United përfitoi nga një 11-metërsh i sinjalizuar pas rënies së bilbilit, në përfundimin e takimit me Brighton-in, pasi Albion tronditën në Amex plot pesë herë shtyllat e traversat, “spurs” në krahun tjetër u përcëlluan pikërisht në 96’ brenda në Londër, pasi kishin dominuar Neëcastle-n gjatë gjithë kohës, madje me 11 pritjet e tij Karl Darloë jo vetëm që u shpall si njeriu i ndeshjes por gjithashtu u bë edhe i pari portier i “magpies”, që pret kaq shumë që nga koha e holandezit Tim Krul në vitin 2013. Këtë herë përgjegjësia e drejtimit të ndeshjes i është ngarkuar kryesorit Anthony Taylor, gjithsesi do të vijojë të mungojë Gareth Bale, që ka një problem në gju dhe pritet të rikthehet vetëm pas ndeshjeve të skuadrave përfaqësuese.

Pak më vonë në orën 20:15 Liverpuli do të përballet me Aston Villa-n në Villa Park, stadium ku në vizitën e fundit kampionët në fuqi u shtrënguan për të përmbysur disavantazhin, duke shënuar dy herë në minutat e fundit me lojtarë si Andy Robertson dhe Sadio Mane, sidoqoftë këtë herë të paktën “villans” nuk kanë përse t’i druhen futbollistit senegalez, që do të mungojë pasi është izoluar, teksa ka rezultuar pozitiv me Virusin COVID-19./ss/


Shtuar 4.10.2020 08:33