Prestigjiozja spanjolle “Marca” ka zhvilluar një intervistë me Gianni de Biasi, trajnerin italian që e dërgoi Shqipërinë për herë të parë në finalet e një Kampionati Europian “Francë 2016”.
Aty, 64-vjeçari nga Sarmede zbulon se po shkruan edhe një libër për eksperiencën që pati me kuqezinjtë, është në kapitullin e tretë.
Ja shkrimi i gazetës së njohur spanjolle: “Ne kemi telefonuar në Itali një trajner, që e njeh ligën tonë, sepse ka stërvitur Levante dhe Alavés. Ai nuk është askush tjetër, përveç Gianni de Biasi.
Trajneri veteran është optimist për evoluimin e pandemisë në rajonin e tij, Veneton veriore, një nga më të prekurit. Ai do të nënshkruajë një kontratë me një ekip të ri, ndërsa po shkruan një libër se si e çoi Shqipërinë në “Euro 2016”. Sigurisht, ai nuk mendon se është e mundur, ose e sheh mjaft të vështirë, përfundimin e Serie A 2019-2020.
“Unë nuk e di se sa e rëndësishme është sot që të përfundojë kampionati italian. Mendoj se është e rëndësishme të zgjidhen ata që shkojnë në Europë, ata që shkojnë në Champions, ose që zbresin nga kategoria. Kjo është një situatë politike”, – thotë De Biasi në “Radio MARCA”.
Trajneri italian konsideron se “koronavirusi nuk është një situatë normale dhe ka nevojë për vigjiliencë maksimale nga të gjithë për momentin. Unë nuk e di nëse është e mundur të përfundojë Serie A me të gjitha ndeshjet që mungojnë deri në fund të sezonit”.