Si sot katër vite më parë, UEFA kujton golin e Sadikut në Europian (VIDEO)

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Europianin e vitit 2016 në Francë do të mbahet mend gjatë, pasi ishte hera e parë që kuqezinjtë luanin në finalet e një eventi kaq madhor.

Në atë kohë, nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi, Shqipëria koleksionoi dy humbje, por ia doli të merrte një triumf historik përballë Rumanisë në ndeshjen e fundit të grupit.

Kombëtarja fitoi me rezultatin 1-0, teksa golin vendimtar e realizoi Armando Sadiku.

Një rrjetë historike duke u bërë futbollisti i parë dhe i vetëm shqiptar deri në këtë moment që ka realizuar në finalet e një eventi kaq të rëndësishëm. Nga ky moment, janë mbushur ditën e sotme katër vite.

Një fakt të cilin ka vendosur ta kujtojë edhe faqja zyrtare e UEFA-s, e cila ka postuar golin e sulmuesit elbasanas.

Ndërkohë, tashmë mbetet të punohet që Shqipëria të mbërrijë sërish në fazën finale të një Europiani apo Botërori, për të ripërjetuar emocione të mëdha.


Shtuar 19.06.2020 12:49