Shtyhet gara e Formula 1 në Shangai, shkak koronavirusi

Menaxhmenti i Formula 1, ka njoftuar se për shkak të epidemisë së koronavirusit në Kinë është shtyrë gara e cila ishte planifikuar të mbahet më 19 prill në Shanghai, raporton AA.

Në faqen zyrtare të Formula 1 thuhet se gara në Shanghai nuk do të mbahet në prill dhe se në përputhje me situatën, data e re e garës do të shqyrtohet më vonë.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë (NHC) dje njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur 97 të infektuar, me çka numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në 1.114 persona.

Më tej theksohet se deri më tani janë konfirmuar 44.653 të prekur nga koronavirusi ndërsa në 24 orët e fundit u raportuan mbi 2.000 raste të reja.

Nën përkujdesje mjekësore janë vendosur 187.728 persona për të cilët dyhsohet se janë të prekur nga koronavirusi.

Virusi për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhe thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.

Virusi është përhapur në më shumë se 20 vende të tjera përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.


Shtuar 12.02.2020 14:15