Shkatërruan Shakhtarin, Barrella: Jemi ekip me karakter

Nicolo Barella gjithmonë e më lider i Interit. Mesfushori zikaltër edhe njëherë tjetër ishte në qendër të lojës dhe jo më kot, talenti i tij tashmë kërkohet nga të gjitha klubet më të mëdha të Europës, por për merkato dhe gjëra të tjera që nuk quhen “Inter” dhe finale “Lige Europe”, 23-vjeçari nuk kërkon të di.

“I qëndroj sërish frazës që thashë edhe pas ndeshjes me Leverkusenin, kjo skuadër po tregon se ka karakter. Bëmë një ndeshje të madhe, por tani me të njëjtin agresivitet duhet të shkojmë të fitojmë edhe ndaj Sevijes. D’Ambrozio thotë se Konte mëson futboll? Po, është e vërtetë. Antonio na ka përmirësuar të gjithëve, mua ndoshta më shumë se këdo tjetër.

Sherri brenda skuadrës një kujtim i harruar? Nëse po flisni për shfryrjen e trajnerit, unë nuk mendoj se ai ka bërë sherr me dikë. Por di të them se ai shpërthim i tiji na bëri mirë të gjithëve dhe rezultatet e tregojnë këtë. Ndeshje e madhe nga unë? Për këtë punoj çdo ditë, por kur ke në ekip sulmues të mëdhenj si Lautaro e Lukaku, gjithçka është më e thjeshtë”.


Shtuar 18.08.2020 08:52