Rrugëtimi i Arbër Zenelit, nga bora 40 cm në Suedi tek ëndrra për të luajtur me Kosovën në Euro 2020

Arbër Zeneli e ka kujtuar fëmijërinë e tij dhe rrugëtimin drejt majave të futbollit evropian. Ylli kosovar kishte nisur gjithçka nga bora prej 40 centimetrave në Suedi, e deri tek ëndrra për të luajtur me Kosovën në Kampionat Evropian. 24 vjeçari flet edhe për eksperiencat në futbollin suedez, holandez dhe atë francez

Arbër Zeneli ka folur gjerë e gjatë për karrierën, që prej fëmijërisë, e deri tek arritjet e tij.

Futbollisti kosovar, në një bisedë me “colossalsportsmgt.com”, një kompani që merret me zbulimin dhe zhvillimin e talenteve, i ka kujtuar kohërat e fëmijërisë, kur luante së bashku me vëllezërit e tij.

Pas një kohe, ai e nisi karrierën e profesionistit dhe u desh të largohej nga familja.

“Çfarëdo moti që ishte, qoftë duke rënë borë apo duke rrezuar dielli, ne ishim gjithmonë atje së bashku, duke luajtur futboll. Gjatë verës, ishim rreth 50 fëmijë që luanim, ndërsa gjatë dimrit, isha vetëm unë dhe dy vëllezërit e mi, ku bora shpesh e arrinte trashësinë deri në 40 centimetra”, kujton Zeneli.

“Ato kujtime janë vështirë të shlyhen dhe të harrohen. Kur i kam parë dy vëllezërit e mi duke qarë, kjo më goditi shumë. Kam qenë afër tyre gjatë tërë jetës. Ishte sikur ta ndaja zemrën. Ky ishte vendimi më i vështirë që e kam marrë ndonjëherë”, shton ylli kosovar.

Prindërit ishin krenarë me Arbërin, të cilin e përcillnin vazhdimisht duke u zhvilluar si futbollist.

Ai ishte tifoz i Milanit, ndërsa prindërit nuk dëshironin ta linin jashtë obsesionit të tij për sportin.

“Të gjithë e kanë historinë se si prindërit i dërgojnë në shtëpi duke ju thënë që të mos dalin jashtë përsëri. Gjatë verës, unë dilja në lagje dhe luaja deri në mesnatë”, shpjegon Zeneli.

“Prindërit e mi mendonin se Boras do të ishte perfekt për ne. Unë me të vërtetë e doja qytetin Falun dhe isha i mërzitur kur u larguam. Sidoqoftë, duke u rritur, e pash se çka do të thoshte për mua të isha në Boras. Ata kishin eksperienca të vështira, për faktin se ishin emigrantë në Suedi. Ata vetëm e donin më të mirën për fëmijët e tyre dhe të na shihnin ne duke arritur suksese në jetë. Nuk mund ta imagjinoj se si e përjetojnë këtë njerëzit që vijnë nga vendet e varfra. Kjo është arsyeja se përse jam aq mirënjohës që e kam pasur një fëmijëri të mirë”, tregon tutje Arbër Zeneli, i cili në fëmijëri e pëlqente yllin brazilian, Leite Kaka.

Ai nuk e harron kohën kur karriera e tij kishte marrë kthesë të madhe teksa po luante në ekipin e të rinjve të Elfsborgut.

“Unë gjithmonë ëndërroja të luaja në një ekip të madh dhe në një ligë të njohur. Momenti i cili më ka goditur më së shumti ishte kur trajneri im tek U-17 i Elfsorgut, Tobias Linderoth besonte në mua dhe në aftësitë e mia. Unë po e bëja atë që dija më së miri. Linderoth, por edhe Jan Mak, ma dhanë lirinë të bëja gjithçka në repartin ofanziv, derisa shumica e trajnerëve punojnë 70% në aspektin ofanziv dhe 30% në mbrojtje”, shton Zeneli.

Legjenda suedeze dhe e Elfsborgut, Anders Svensson e kishte përcjellë zhvillimin e Arbërit, duke e konsideruar atë si talentin më të madh që e kishte parë ndonjëherë.

“Si lojtar i ri, ti e fiton besimin kur dëgjon lëvdata nga dikush që ka më së shumti ndeshje me ekipin kombëtar të Suedisë. Kjo të shtyn përpara dhe të frymëzon të punosh edhe më fort. Kur shkova në ekipin e parë, nuk ia kisha frikën asnjë lojtarit. Kur ishim në stërvitje, bashkëlojtarët nuk dëshironin të luanin një-kundër-një me mua, ata donin të ishin në ekipin tim”, zbulon ai.

Më pas, ai lëvizi drejt Holandës, për t’iu bashkuar ekipit Heerenveen.

Zeneli në atë kohë luante për ekipin U-21 të Suedisë.

Ai e ka përsëritur dëshirën për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, pasi këtë e ndiente në zemër.

“Unë nuk e kam thënë kurrë se nuk doja të luaja për Suedinë. Unë vetëm nuk e gjeja motivimin nga ekipi kombëtar. Dhe, kur erdhi Kosova, më duhej ta bëja zgjedhjen me zemër. Fillimisht, unë mendova për veten dhe e dyta, nëse Suedia U-21 nuk do të ma jepte rastin për të luajtur, si do të mendoja të luaja në ekipin e parë?”, shprehet tutje Zeneli.

Pas Heerenveenit, ku shkëlqeu në kampionatin holandez, ai u transferuar në Francë, duke nënshkruar me ekipin Reims.

Ai filloi të shndriste edhe në kampionatin francez, por një lëndim i rëndë në ndeshje me Malin e Zi e la atë jashtë fushës së blertë tash e sa muaj.

“Në ato momente po mendoja: shpresoj të mos jetë diçka e rëndë. Ishte një moment i vështirë për mua dhe për familjen sepse kurrë nuk e kisha menduar se ajo mund të ndodhte. Po planifikoja të shkoja në Dubai me të dashurën për t’i propozuar asaj pas angazhimeve me ekipin kombëtar. Kur e shoh ekipin duke luajtur nga dritaret, ata ushtrojnë dhe bëjnë qejf, ndërsa unë vrapoj i vetëm, kjo është e vështirë, por unë e kam një mentalitet të fortë”, thotë Zeneli.

“Unë jam munduar vetëm të jem pozitiv. Nëse do të bija poshtë, do të shkoja në depresion dhe kjo do ta ngadalësonte rehabilitimin tim. Në Kosovë, ne kemi mentalitet të fuqishëm dhe mendoj se këtë e kam ‘dhuratë’ nga babai im”, tregon tutje ai.

Shtatë muaj më parë, Arbri vazhdon të jetë më i fortë se kurrë më parë.

Ai është afër rikthimit dhe synon të shkëlqejë edhe më shumë sesa përpara.

Kosova nuk arriti të kualifikohej në Euro 2020 përmes fazës së kualifikimeve, ndërsa tash e ka mundësinë ta realizojë këtë ëndërr nëpërmjet Ligës së Kombeve.

“Dardanët” do të luajnë me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale në muajin mars, ndërsa në finale eventuale do të përballen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë.

Sidoqoftë, përpara kësaj, Arbëri mendon të rikthehet në ekipin e tij, Reims, me të cilin e synon kualifikimin në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

“Njerëzit po thonë se unë vetëm dua të luaj për Kosovën në Kampionat Evropian. Mirëpo, fokusi im është jem i gatshëm fizikisht, më pas të filloj të luaj me Reimsin, para se të përfshihem me Kosovën”, tregon ai.

“Natyrisht, unë dua të luaj në Evropian, por po ashtu dua të luaj për Reimsin dhe t’ia shfaq mirënjohjen dhe falënderimin tim për atë që kanë bërë për mua. Më pas, shpresoj që të jem në formë të mirë për ta ndihmuar ekipin kombëtar në turneun tonë të parë ndërkombëtar”, ka përfunduar Zeneli.


Shtuar 20.01.2020 17:55