Rrëfehet Cannavaro nga Kina: Ju tregoj si e mposhtën “koronavirusin” këtu

Kush më mirë se Fabio Cannavaro mund të tregojë për jetën në Kinë, në kohën e “koronavirus”? Asnjë. Kjo është arsyeja pse trajneri i Guangzhou Evergrande i dha një intervistë “Mundo Deportivo”, ku tregoi mënyrën se si ata vepruan dhe ende po përballen me virusin vdekjeprurës.

“Ne duhet të qëndrojmë në shtëpi. Policia mund të vijë në çdo kohë për të matur temperaturën tuaj dhe, mbi të gjitha, për të verifikuar se jeni në shtëpi. Përndryshe, ata do t’ju dënojnë, menjëherë. Kur të kalojmë periudhën e karantinës, ata do të kryejnë analiza të reja dhe do të sigurojnë njëlloj “pasaporte” mjekësore të krejt popullatës. Kinezët kanë arritur ta mundin “koronavirus” këtu dhe nuk duan të infektohen përsëri”.

Nga metodat e rënda dhe efektive të kufizimit, Cannavaro më tej vazhdon të flasë se si e sheh tashmë ndryshimin me periudhën më të keqe, e cila tani duket se është pas tij.

“Tani situata është pothuajse normale. Ju mund të shihni njerëz në tarraca pallatesh, nëpër restorante, pa maska. Një muaj më parë nuk shikoje asgjë përreth. Një ditë, duke shkuar në qendrën e trajnimit, nuk takova një person të vetëm, vetëm policia dhe ambulancat. Në Kinë e mposhtën pandeminë, sepse ndoqën udhëzimet e autoriteteve, i bënë të gjitha së bashku. Të gjithë qëndruan në shtëpi. Kjo është e vetmja gjë për të bërë“.

Por, mendimet e tij tani, padyshim janë tek Italia e prekur rëndë nga ky virus, ku jetojnë të gjithë të dashurit e tij (me përjashtim të vëllait, Paolo, që e ndjek atë në aventurën kineze te Guangzhou).

“Gruaja dhe fëmijët janë në Napoli, edhe prindërit e mi. Babai im zemërohet kur motra i dërgon disa ushqime dhe ia lë në derë, por kjo është mënyra më e mirë për t’i treguar atij dashuri, sepse virusi është shumë i rrezikshëm për të moshuarit, shumë i rrezikshëm. Në Kinë të gjithë kanë qenë shumë të disiplinuar. Kampionati? Shpresojmë të fillojmë përsëri në maj, nuk kemi pasur raste pozitive me “koronavirus” si ekip.


Shtuar 16.03.2020 11:06