Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, shpreson që UEFA të zyrtarizojë sa më shpejt kthimin e ndeshjeve të përfaqësueseve që në muajin shtator, në mënyrë që të gjithë të kenë një ide më të qartë për punën që i pret.
Tekniku i kuqezinjve ka argumentuar në një intervistë për Radio Marte se kalendari ekziston, por paqartësia e pandemisë ka bëre që të mos diheet realisht në çfarë gjendje do të shkohet në ato ndeshje grumbullimi.
Kthimi i Napolit në Serinë A në vitin 2007 – “Më kujtohet mirë. Kanë kaluar 13 vite por kujtime të tilla janë gjithmonë të pranishme, e pamundur t’i fshish. Me shumë mundësi ka qenë momenti më emocionues i karrierës time. As nuk arrinim të dilnim nga aeroporti për shkak se kishte shumë njerëz. Nuk do të mund ta harroj kurrë, mbërritëm në “Piazza del Plebiscito” pas dy orësh, prisnim edhe rezultatet e Mantovës dhe Piaçencës, nuk kishte asgjë të sigurt deri në fund. Pastaj filloi një festë e madhe. Para ndeshjes, tifozët e dy skuadrave shkonin krah për krah në stadium, nuk kam parë asnjëherë diçka të tillë, pastaj rezultati përfundimtar ishte i jashtëzakonshëm.
Potenciali i klubit dhe publiku e meritojnë këtë kënaqësi. Nuk është gabuar asnjë vit që atëherë. Mungon qershia mbi tortë e titullit kampion apo ndonjë finale europiane, por nuk duhet të ankohen, nuk është gabuar asnjë vit që atëherë. Duke u nisur nga Seria C në pak vite mbërritëm në Europë. Ishte një rritje e jashtëzakonshme, meritë e klubit, e trajnerëve, e grupit. Me ngrohtësinë e tifozerisë ishte e lehtë, në Serinë C kishim 65 mijë spektatorë, tifozët të bëjnë të vraposh edhe nëse nuk do”.
Raporti me Napolin dhe ish-lojtarët – “Edhe me Lavecin jemi dëgjuar shpesh këtë verë, Hamshik pastaj ishte si djali im, erdhi te ne kur ishte fëmijë, kam kujtime shumë të bukura. Në ato vite kemi bërë mirë, nëse nuk arrin rezultatet të mbetet ndonjë pakënaqësi, por ne në 4-5 vite kemi fituar gjithmonë, nga Seria C në A. Ndaj ka mbetur miqësia edhe me Sosa për shembull, i cili luante pak por vendoste ndeshjet. Në fillim më urrente, por pastaj kur jemi ritakuar, më tha që kisha të drejtë unë, për një trajner nuk është e lehtë të bëjë zgjedhje, duke u bërë trajner e kuptoi edhe ai”.
Rifillimi i futbollit – “Bëhet e vështirë pasi është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, është diçka jonormale. Lojtarët kanë bërë një fazë përgatitore shumë të ndryshme, pa mundur të luajnë as miqësoret. Gjithçka ngre pikëpyetje të mëdha, Napoli nuk ishte nisur shumë mirë dhe në momentin që po merrte veten, mbërriti edhe ndalesa. Tani nuk di as të shprehem. Menaxhimi është në vëmendjen e trajnerit, për të parë se në çfarë gjendje janë lojtarët dhe kush është më në formë. Duke luajtur çdo tre ditë, qartësisht lodhja do të ndjehet, pesë zëvendësimet do të jenë të rëndësishme. Pastaj është problemi i dëmtimeve dhe në këtë mënyrë do të mund të luajë edhe kush ka pasur më pak hapësira. Do të rezultojnë vendimtarë lojtarët që nuk ishin titullarë dhe të cilët më parë luanin vetëm pjesëza ndeshjesh. Nëse ke një ekip të bollshëm, sigurisht që ke avantazh dhe Napoli e ka”.
Hysaj – “Nuk kam folur me Gatuzon, me djaloshin kam një raport direkt pasi ai është kapiteni ynë, përgjegjës për të gjithë djemtë në kombëtare. Lojtarët i kontaktoj individualisht, po punojnë por nuk e dinë në cilat kushte do të mbërrijnë në këto ndeshje, do të duhet të presim dhe të shohim. Kam folur edhe me lojtarët në kampionate të huaja, po rifillojnë, tani duhet të pres e të kuptoj në çfarë gjendje janë. Pres me padurim që të fillojë kampionati. Kur do të luhet me kombëtaret? Duhet të jetë në shtator, UEFA do të mblidhet dhe do të vendosë. Tani presim dhe mundohemi të jemi besimplotë. Në teori, kalendari ekziston”.
De Laurentis – “Dëgjohemi herë pas here, ai e di që mud të ketë besim tek unë kurdoherë. Kontaktuam kur kishte ditëlindjen, unë jam gjithmonë i gatshëm nëse është nevoja që t’i jap një ndihmë. Në fillim, kur ishim në Serinë C, nuk i kuptonte ende mekanizmat e futbollit, por pastaj i kuptoi shumë mirë. Të kthehem te Napoli? Ai më ka propozuar gjithmonë për të drejtuar sektorin e të rinjve por duhen krijuar struktura, të ndërtohen fushat e lojës, duhen ndjekur fëmijët, duhet të jesh i organizuar për të bërë diçka me nivel të lartë, nuk është se stërviten e pastaj kthehen në shtëèpi. Napoli pastaj mund të ketë një bazë shumë të rëndësishme të rinjsh, që shkon nga Siçilia e deri në Romë. Por në fund u hoq dorë pasi nuk konkretizuam projektin”.
Titulli kampion – “Bëj tifo për Lacion dhe jo vetëm se kam qenë aty 4 vite, por se e meriton pasi po bën një futboll të jashtëzakonshëm. Megjtihatë, sipas meje Juventusi është më i mësuar me këto lloj turnesh, ndoshta Lacio e sheh veten për herë të parë të luftojë për këtë objektiv në vitet e fundit. Lacio dhe Atalanta janë skuadrat që më kanë dhënë kënaqësi shumë të mëdha, bergamaskët tani janë projektuar në Ligën e Kampioneve, shpresoj të ecin sa më shumë të jetë e mundur. Janë dy skuadra të tjera me të cilat jam shumë i lidhur, por janë sidomos dy skuadra zbulim që kanë pasur një rendiment të shkëlqyer në këtë kampionat”. /vipsport.al/
