Presidenti i ekipit kundërshtar me koronavirus, UEFA refuzon kërkesën për shtyrjen e ndeshjes

Klubi anglez Wolves ka bërë të ditur se UEFA ia ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e ndeshjes së Ligës së Evropës si mysafir kundër Olympiakosit, ndërkohë që ndeshja do të zhvillohet pa tifozë në stadium shkaku i koronavirusit.

Qeveria greke e ka marrë një vendim për t’i zhvilluar eventet sportive pa tifozë të pranishëm nëpër stadiume përkohësisht për shkak të virusit Covid-19 dhe, të hënën, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Greqi u ngrit në 73.

Pronari i Olympiakos, Ervangelos Marinakis – i cili e ka në pronësi edhe klubin ku luan portieri kosovar Arijanet Muriç, Nottingham Forest – bëri të ditur të martën se ai është infektuar nga koronavirusi.

“Ne besojmë se ky udhëtim përbën rrezik të panevojshëm për lojtarët tanë, stafin, tifozët dhe familjet e të gjithë atyre që do të udhëtojnë në këto momente kaq kritike dhe të pasigurta”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Wolves.

“Ne jemi të shqetësuar edhe për kundërshtarët, të cilëve u janë testuar sot lojtarët dhe stafi dhe do të duhet të luajnë në një ndeshje të rëndësishme nën rrethanat e vështira dhe sfiduese të të pasurit pronarit të infektuar me koronavirus”.

“Jemi të zhgënjyer edhe që ndeshja do të zhvillohet pa tifozët vendas dhe mysafirë, pasi që kjo është pjesë e asaj që e bën garën në Evropë aq të veçantë. Ne besojmë se disa gjëra janë më të rëndësishme sesa futbolli, përfshirë këtu shëndetin publik”.

“Megjithatë, ne e respektojmë vendimin e UEFA-s dhe integritetin e garës dhe do të udhëtojmë nesër në Greqi për ta zhvilluar atë ndeshje”.

“Ne shpresojmë që kërkesa jonë ndaj UEFA dhe reagimi ynë pozitiv ndaj vendimit të tyre do të veprojë si katalizator për shqyrtimin e opsioneve alternative në të ardhmen, pasi që kjo s’do të jetë ndeshja e fundit e ndikuar nga koronavirusi”. /


Shtuar 11.03.2020 09:52