Portieri i Ajax kthehet në hero, shënon penalltinë vendimtare dhe feston si CR7 (VIDEO)

Një histori filmash ka qenë ajo e Daan Reiziger ditën e sotme.

Portieri i Ajaxit U19 është shndërruar në hero për ekipin e tij, teksa i ka dhënë kualifikimin “Harkëtarëve” të vegjël për në fazën çerekfinale të UEFA Youth League, duke eliminuar Atletico Madrid.

Themi histori filmash, pasi Reiziger është futur në lojë në minutën e fundit, pra në të 94-tën, pak përpara se ekipet t’i drejtoheshin goditjes së 11-metërshave. Koha e rregullt u mbyll 0-0 dhe në Championsin e moshave nuk ka shtesë loje, por ndeshja shkon direkte në penallti.

Aty Reiziger ishte vendimtar, ku përveçse priti 3 penallti, shënoi edhe atë vendimtaren, duke goditur në trekëndësh në mënyrë perfekte. Historia nuk mbaron me kaq, pasi në momentin që 18-vjeçari shënoi penalltinë e kualifikimit, festoi me “SIIIU”-n e famshme të Cristiano Ronaldos. Fantastik djaloshi holandez!


Shtuar 3.03.2020 19:15